Startojnë Lojërat Europiane në Baku

13/06/2015 00:00

Kanë startuar me një ceremoni madhështore Lojërat Europiane në Baku, aktivitet që bëhet për herë të parë dhe që mendohet se është një ekuivalent i Lojrave Aziatike dhe Pan-Amerikane.

Mes shteteve që parakaluan në ceremoninë e hapjes ishte edhe Shqipëria, e cila do të përfaqësohet me 28 sportistë në 9 disiplina të ndryshme, dhe Kosova, për të cilën është hera e parë që merr pjesë në një kompeticion të përmasave të tilla.

6000 sportistë nga 50 shtete të ndryshme të Europës do të garojnë për të bërë të tyren një nga 253 medaljet që do të shpërndahen në këto 17 ditë aktivitet.

Qeveria e Azerbajxhanit ka deklaruar se investimi i tyre kap shifrën e 1.2 milionë dollarëve, por sipas mediave europiane kjo vlerë nuk është reale, pasi vetëm ndërtimi i stadiumit Olimpik ka kushtuar 600 milionë dollarë.

Analistët europianë janë të mendimit se këto lojëra janë një marketing mjaft i mirë për qeverinë e Azerbajxhanit, pavarësisht se nga pikëpamja ekonomike ajo del me humbje.

Gjithsesi, sipas analistëve një gjë është e sigurtë; pas Lojërave Europiane që do të zhvillohen në Baku, njerëzit në të gjithë botës do ta dinë tashmë se Azerbajxhani është pjesë e Europës.

Top Channel