Basha: Mos u mashtroni nga Rama dhe Meta. Mos votoni pushtetin që vjedh

13/06/2015 00:00

Duke kërkuar votën e matjanëve, Lulzim Basha akuzoi qeverinë për korrupsion në përmasa të jashtëzakonshme.

“150 mln dollarë i mungojnë arkës tonë. Pse? Ju keni paaguar, por nuk ka asnjë qindarkë që të kthehet në vende pune. 150 mln dollarë të taksave tona janë vjedhur nga dyshja Rama-Meta dhe banda e tyre”, tha Basha.

Lulzim Basha akuzoi qeverinë se po përdor në zgjedhje edhe struktura të inkriminuara shtetërore.

“Nuk do të funksionojë as emërimi i atyre që duhet të japin llogari për grabitje bankash në poste të larta të policisë së Burrelit.‎ Policë, mos merrni urdhra të paligjshme nga njerëz që duhet të jenë para drejtësisë dhe jo me uniformë. Ata njihen me emër e mbiemër, i njeh PD, Uashingtoni e Brukseli. Do të japin llogari ata, distancohuni prej tyre!”, shtoi kreu i PD.

Lulzim Basha u përball me një nga tezat e kryeministrit, sipas të cilit opozita po bën premtime që nuk i mban dot.

“Po ju mashtrojnë. Po ju thonë që këto janë zgjedhje lokale, se ky nuk është momenti për të folur për taksat. Ky s’qenka momenti për të folur për varfërinë, ky s’qenka momenti për të folur për papunësinë. A është papunësia problemi më i madh, varfëria, çmimet, po apo jo? Po! Atëherë dëgjoni mirë o mashtrues, Edi Rama dhe Ilir Meta, taksat do të ulen, çmimet do të ulen”, shtoi Basha.

Në këtë përpjekje Lulzim Basha synon të tërheqë pas vetes edhe të pavendosurit edhe të zhgënjyerit e majtë.

“Për uljen e taksave, të çmimeve, për rritjen e rrogave ne nuk jemi kundërshtarë, jemi vëllezër dhe motra. Bashkohuni me ne. Me votën tonë të bashkuar, do t”i japim një mësim për t’u mbajtur mend mashtruesve. Po vjen dita të ndalim të keqen”, shtoi Basha.

Ndërkohë, në fjalën e tij para simpatizantëve në Peshkopi, Basha ka ftuar dibranët që më 21 Qershor t’i kërkojnë llogari dështimit të qeverisë në realizimin e premtimeve.

Kryetari i opozitës ka përsëritur gjithashtu akuzat ndaj koalicionit qeverisës për rritje të taksave e çmimeve, që po e çojnë, sipas tij, vendin drejt greminës.

“Po vjen dita kur qytetarët do të sjellin ndryshimin me votë. Qytetarët janë të bashkuar sepse kanë besim tek rrugëdalja nga kjo krizë dhe ne rrugëdalje do japim. Populli do të marrë në dorë fatin e tij dhe nuk do t’ua lërë atë oligarkëve”, ka thënë Basha.

“Rama dhe Meta, pasi morën pushtetin qendror, duan të kapin edhe atë vendor për të kryer aferat e tyre”, ka shtuar Basha.

Top Channel