Mbetjet urbane, Leli: Nuk do të lejojmë më djegien në mjedise publike. Dermomemaj: Plan i ri për grumbullimin

13/06/2015 00:00

Vlora vazhdon të jetë një qytet i ndëshkuar në aspektin mjedisor, nga ndotja e djegieve në mjedise publike.

Kjo çështje është tashmë e ndjeshme dhe është përfshirë dhe në axhendën e kandidat të maxhorancës për bashkinë e Vlorës, i cili premton se do t’i japë fund djegies së mbetjeve.

“Sigurisht që është një problem që kërkon zgjidhje, dhe nuk do të lejojmë më që në katër vitet që vijnë të digjen plehrat në ditën me diell, në mes të qytetit të Vlorës. Ky është një problem që kërkon zgjidhje, që shkakton dëm në jetët e qytetarëve, dhe që meriton të mos jetë kështu në katër vitet që vijnë. Unë do të mbështes projektin e landfillit që do të përfshijë gjithë qytetin e Vlorës, për të cilën është bërë studimi i fizibilitetit dhe janë gjetur donatorët për realizimin e këtij projekti të madh. Pra nuk do të ketë më mbetje në qytetin e Vlorës për vitet që do të vijnë”, tha Dritan Leli, kandidati i majtë për bashkinë e Vlorës.

Kandidati i opozitës për bashkinë e Vlorës e shikon zgjidhjen e eleminimit të ndotjes nga mbetjet urbane të qytetit, tek hartimi i një plani të ri për grumbullimin e mbeturinave në mënyrë të diferencuar dhe ndërtimi i një landfilli brenda mandatit 4- vjeçar të drejtimit të bashkisë.

“Me administrimin e ri, që ditën e parë në bashkinë e Vlorës, nuk do të digjet më asnjë mbeturinë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane. Do të ndërhyjmë në ristrukturimin e gjithë procesit, duke shkuar dhe më tej, dhe në planifikimin e një metode të re të mbledhjes së mbeturinave urbane. Problemi i mbetjeve urbane nuk është një problem që zgjidhet shpejt, do kohë. Por ne do të bëjmë të mundur që brenda 4-vjeçarit të administrimit tonë për bashkinë e Vlorës, ta bëjmë të mundur krijimin e landfillit për qytetin e Vlorës”, tha Genc Deromemaj, kandidati i opozitës për Vlorën.

Top Channel