Procedimi i Ismailit, PD: skenar i PS-LSI. Rama-Meta po keqpërdorin policinë

13/06/2015 00:00

Partia Demokratike ka reaguar paraditen e së shtunës, pas njoftimit për nisjen e procedimit penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili.

Në një deklaratë për mediat, kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka deklaruar se procedimi i Ismailit është një skenar i koalicionit PS-LSI, që po përdor, sipas tij, Policinë e Shtetit për qëllimet e veta.

“Mazhoranca Rama-Meta, apo Meta-Rama nuk po ndalet përpara as një akti të jashtëligjshëm dhe kriminal në funksion të dhunimit të vullnetit të qytetarëve që kanë vendosur të votojnë kandidatët e opozitës në zgjedhjet e 21 qershorit.

Aktet e fundit në Vorë, ku policia e shtetit është vënë tërësisht në shërbim dhe nën urdhërat e Ilir Metës dhe LSI-së tregojnë qartazi që kjo mazhorancë, Meta, por edhe bashkëpunëtori i tij Rama, janë gati të çojnë demokracinë drejt shkatërrimit dhe vendin drejt stabilizimit për interesat e tyre mafioze.

Në Vorë, policia e drejtuar prej Bujar Lazes, nga Skrapari, dhunon çdo ditë mbështetësit e opozitës, i ndalon, i keqtrajton dhe i kërcënon që të mos mbështesin kandidatin e djathtë Fiqiri Ismaili.

Dhunë direkte ka patur gjatë gjithë kësaj kohe edhe ndaj biznesit të kandidatit Ismaili. Iu bllokua malli nga ministri i LSI-së. Iu bllokuan mjetet e punës dhe nga dje, prej mëse 14 orësh, policia në mënyrë të paligjshme ka bllokuar tërësisht biznesin e tij.

Me metoda tipike të sigurimit të shtetit kërcënohen dhe detyrohen qytetarët të bëjnë dëshmi të rreme në zyrat e komisariatit të LSI-së, se gjoja kandidati i së djathtës ka kërkuar t’u blejë votën.

Për të gjitha këto, Partia Demokratike po bën gati denoncimin për ndjekje penale ndaj shefit të komisariatit Vorë. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush e përfaqëson mafien sot në pushtet.

Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush, me paratë që u grabitën ditën, kërkon t’u blejë votat natën dhe nuk mund të mashtrohen as nga spotet cinike të LSI-së, as nga metodat e sigurimit të shtetit. Shqiptarët po shohin përditë qartazi impenjimin me të gjitha format e Metës dhe Ramës në Vorë dhe në të gjithë zonat e tjera ku mazhoranca ndjen humbjen.

Partia Demokratike u bën thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare që merren me monitorimin e zgjedhjeve, të impenjohen seriozisht për evidentimin dhe denoncimin e akteve të tilla kriminale, ku e gjithë struktura e shtetit, duke filluar nga policia, përdoren si organizata kriminale dhe mafioze për të grabitur votën e shqiptarëve”, ka deklaruar Paloka.

Top Channel