Prokuroria nis hetimet për listën e zgjedhësve në Durrës

13/06/2015 00:00

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetime për listën zgjedhore të këtij qyteti. Burime zyrtare bëjnë të ditur se hetimet kanë nisur, pasi dyshohet se në këtë listë janë shtuar fiktivisht 2800 banorë.

Një raport për këto dyshime ka mbërritur në prokurori edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këta persona janë shtuar me kontrata fiktive qiraje si banorë të përkohshëm dhe votues në qytetin e Durrësit.

Prokuroria ka dërguar rreth 600 fletë-thirrje, nga të cilët janë pyetur rreth 60 persona, banorë në zonën e Plazhit, kryesisht ata që pretendohet se kanë dhënë me qira ambjente dhe shtëpi për shtetas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

“Nga pyetja e këtyre personave rezulton se ata nuk kanë dhënë shtëpi apo ambjente banimi me qira. Ndërkohë që hetimet po vijojnë, u krijuan dyshime të arsyeshme nga pyetja e këtyre personave se kontratat e qerasë janë fiktive”, thekson prokuroria.

Për këtë arsye, prokuroria i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës pezullim nga detyra për drejtorin e ndërmarrjes komunale të plazhit, Alfred Dhuli, dhe noteren Ines Aleksi. Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, nga persona që kanë për detyrë t’i hartojnë ato. Kërkesa u pranua nga Gjykata.

Top Channel