Kandidati i PD për Peqinin: Bandat e PDIU po kërcënojnë opozitën

13/06/2015 00:00

Kandidati i PD për Peqinin, Albert Kreci ka denoncuar në një komunikim me mediat kërcënimin që sipas tij po u bëhet mbështetësve të opozitës në këtë qytet.

Në deklaratën e tij, Kreci ka akuzuar PDIU-në dhe ato që i ka quajtur “bandat e saj”, të cilat sipas tij lëvizin të armatosura me mbështetjen e qeverisë.

“Jam këtu për të denoncuar një valë dhune e presioni që po ushtron kandidati i PDIU dhe i mazhorancës në Peqin, dhunë që arriti kulmin dje pas mitingut përmbyllës të jashtëzakonshëm që bëri Partia Demokratike me praninë e kryetarit Lulzim Basha.

Entuziasmi i opozitës dhe qytetarëve të Peqinit, që shprehën masivisht gadishmërinë për të mbështetur ofertën tonë dhe kandidaturën time, si dhe denoncimi i inkriminimit të politikës që spikat veçanërisht në Peqin me përfaqësuesit e PDIU, ka tërbuar kundërshtarët dhe banditët e tyre, të cilët janë lëshuar rrugëve duke kërcënuar e dhunuar, deri në përdorimin e armvëve, siç është rasti i plagosjes së rëndë të vëllait të Komunës Karinë, mbrëmë në darkë.

Gjithashtu, janë kërcënuar hapur kryetari i Partisë Demokratike për komunën Gjocaj dhe Komunës Përparim. Po ashtu, këto banda po kërcënojnë çdo ditë mbështetës të opozitës.

Ky rrjet banditësh e kriminelësh pranë PDIU, që lëvizin me makina e të armatosur me kallashnikovë, që janë shtrirë në gjithë Peqinin, më kanë kërcënuar edhe mua në mënyrë të përsëritur dhe provat për këtë ua kam bërë të ditur vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ndërkohë, qeveria dhe përfaqësuesit e PDIU po i bëjnë presion gjykatës që të regjistrojë si zgjedhës në Peqin të dënuarit në këtë burg, çka bie ndesh me Kodin Zgjedhor, me nenin 75, gërma 2, sepse listat e zgjedhjeve kanë kohë që kanë dalë tashmë.

Jam këtu sot për të denoncuar këtë valë të papreçedentë dhune në zgjedhje. Kundërshtarët po tregojnë se nuk kanë ofertë, nuk kanë bilanc dhe nga dëshpërimi i humbjes së sigurtë duan tani që të mos ketë zgjedhje.

Dua t’i bëj të ditur miqve të mirë peqinas, gjithë banorëve të Bashkisë, se asgjë nuk ka tremb, dhe nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër para këtyre banditëve.

I kërkoj prokurorisë të bëjë hetime e të zbulojë autorët e porositësit e këtyre krimeve të rënda. Vëzhguesit ndërkombëtarë duhet të regjistrojnë këto incidente të rënda që po dëmtojnë garën dhe standartet e zgjedhjeve.

Asgjë nuk i shpëton nga përballja me qytetarët, as dhuna dhe as armët. Ka mbetur edhe një javë”, ka deklaruar Kreci.

Top Channel