Lushnje, pikë grumbullimi për prodhimet bujqësore

13/06/2015 00:00

Në komunën Dushk të Lushnjes, nisi  ndërtimi i ambienteve frigoriferike nga kompania “Elkos Group”, me qendër në Kosovë.

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i zonës Erjon Braçe, në mënyrë simbolike vendosën gurin e themelit.

Investimi prej më shumë se 7 milionë euro, shtrihet në 21 mijë metër/katrorë dhe do të zhvillohet  në katër faza.

Investitorët synojnë  që nga grumbullimi, magazinimi dhe përpunimi produkteve bujqësore, për tregjet kosovare  dhe ato europiane të kryejnë një xhiro vjetore prej 100 milion euro.

“Jo vetëm të plotësojë nevojat e qytetarëve të Kosovës, por do jetë dhe objekt shkëmbimi plotësues për mallra për të plotësuar nevoja të qytetarëve të dy shteteve. Ky objekt do jetë mundësi e prodhimit të kontraktuar ndërmjet kërkuesit dhe fermerëve. Do jetë objekt i eksportit, jo vetëm në Kosovë, por në shtetet e rajonit dhe në Europë. I nderuar kryeministër, ju keni marrë një rol të veçantë në pikën e shkëmbimit tregtar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Mund t’iu them se bizneset e të dyja shteteve do ju mbështesin dhe janë të gatshëm të veprojnë, por kërkohet që kjo nismë të fuqizohet edhe më shumë dhe më shpejt. Qytetarët tanë kanë nevojë për punësim, ndërsa shtetet tona për zhvillim”, tha në fjalën e tij investitori, Ramiz Kelmendi.

Kryeministri e quajti këtë investim si tepër të rëndësishëm për zonën duke vendsur, siç tha ai, një tjetër gur kilometrik për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

“Unë jam shumë i bindur që ky investim do të jetë një nxitje e jashtëzakonshme për fermerët e zonës. Janë 10 mijë fermerë, familje fermere, që falë këtij investimi do të përfshihen në një rrjet bashkëpunimi, punësimi dhe të ardhurash të qendrueshme. Sepse ajo çka garanton çelja e kësaj infrastrukture moderne grumbullimi është pikërisht të ardhurat e qendrueshme për prodhuesit, të cilët duke hyrë më marrëveshje me kompaninë grumbulluese kanë garancinë e plotë të shitjes së çdo kilogrami të prodhimit të tyre. Nga ana tjetër impakti që një nismë e tillë ka në konsolidimin e tokës në kuptimin e shkuarjes në drejtimin e duhur kundër fragmentarizimit, por edhe në rritjen e cilësisë, është e jashtëzakonshme. Unë i jam shumë mirënjohës edhe mikut tonë Agim Shahinit i cili është një nxitës dhe një mbështetës i jashtëzakonshëm i çdo nisme që përfshin bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në planin ekonomik, në planin e sipërmarrjes dhe të shkëmbimeve tregtare”, tha kryeministri.

Rama nga Dushku dha këtë mesazh për bizneset në Kosovë.

“Nga ana tjetër dua t’iu siguroj jo ju, por të gjithëve, se plani i kompanisë është që të zgjerohet dhe më tutje dhe vullneti ynë është që t’i japim një mbështetje të fuqishme kompanisë ELKOS për ti dhënë një mesazh shumë të qartë të gjitha sipërmarrjeve të Kosovës. Shqipëria është atdheu juaj. Shqipëria është toka juaj. Shqipëria është hapësira ku ju duhet të ndjeheni në shtëpinë tuaj, sepse është shtëpia juaj. Për çdo sipërmarrje të Kosovës që kërkon të shtrihet në Shqipëri qeveria shqiptare do të jetë një mbështetëse e palëkundur dhe do të garantojë kushtet më optimale që sipërmarrjet e Kosovës të zhvillohen natyrshëm dhe që integrimi e ndërveprimi mes sipërmarrjes në këtë anë dhe në atë anë të bjeshkëve të jetë sa më i plotë dhe intensiv. Unë e falënderoj dhe një herë Ramizin me shumë mirënjohje me shumë respekt dhe me shumë bindje që ky investim nuk sjellë vetëm 100 punonjës të përhershëm, 300 të tjerë sezonale dhe më kryesorja 10 mijë fermerë dhe familje fermerë më pranë tregut dhe të garantuar për punësim të vazhdueshëm, por sjell edhe një hov tjetër drejt modernizmit dhe një kontribut tjetër për një kulturë të re të punës dhe të ndërveprimit pa të cilin asgjë nuk është e mundur”, shtoi ai.

Top Channel