Tepelenë e Gjirokastër, Rama: Ne jemi fuqia e duhur, PD destruktive

13/06/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama u ndal në Tepelenë për takimin e radhës elektoral, ku kërkoi votën për Tërmet Peçin dhe akuzoi opozitën se nuk ofron asnjë vizion për qytetarët.

“Ne kemi një detyrim të madh që t’u japim mbështetje të plotë programit të kandidatëve tanë, ndërkohë që në anën tjetër është një fushatë për të ardhur keq dhe për t’u ndjerë të turpëruar që në 2015, në mes të Europës, një parti që u krijua si forcë e madhe e shpresës, është katandisur në një forcë të madhe dekonstruktive, që e ka transformuar këtë fushatë në një fushatë për të zgjedhur dhe mbledhur sa më shumë budallenj në Shqipëri, duke ju treguar një përrallë nga e kaluara, që Tepelena dhe gjithë Shqipëria e refuzuan më 23 qershor të 2013-ës”, tha Rama.

Rama tha se “mazhoranca e majtë ka treguar në 18 muaj që është e vetmja rrugë që mund të bëjë, po bën dhe do të bëjë shtet për shqiptarët”. Kryeministri u ndal edhe tek kandidati i pavarur, Dritan Memushi, një ish-socialist.

“Kjo është si ajo fjala e urtë, mirë gomari ngordhi, po s’na lënë as mizat rehat. Tani mirë Veipi (kandidati i PD), por s’na lë rehat edhe një diversant që ka dalë këtu nëpër Tepelenë, që synon të ndajë aty ku Tepelena nuk ndahet kurrë, në mënyrë të ulët, krahinore, të turpshme. Asnjë votë për atë! Unë i kuptoj shumë mirë edhe demokratët që mund të jenë njerëz të mencur e s’kanë c’të bëjnë por s’kuptoj dot askend që mund të votojë atë”, deklaroi kryeministri.

Pas Tepelenës, Rama u ndal në Gjirokastër, ku prezantoi kandidaten Zamira Rami. Kryeministri tha se shqiptarët e kanë fare të qartë që 18 muaj janë të pamjaftueshëm për të shëruar plagët e lëna nga pushteti i së kaluar, por siguroi se vendi ndodhet në drejtimin e duhur.

Rama u ndal më pas tek ajo që ai e quajti ndryshimi mes kandidatëve të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe atyre të opozitës.

“Programet e kandidatëve tanë janë programe për familjen, janë programe për anëtarët e çdo familjeje që do të dalë në mëngjes nga shtëpia. Ne jemi fuqia e duhur, në momentin e duhur që po e çojmë dhe do ta çojmë vendin në drejtimin e duhur”, deklaroi kryeministri.

Edi Rama komentoi tërthorazi edhe denoncimet e Partisë Demokratike, që akuzon mazhorancën se po kërcënon kandidatët e saj.

“Janë vërsulur të njollosin zgjedhjet sepse e dinë që më 21 Qershor nuk ka asnjë komunitet që t’i besojë përrallës nga e kaluara të Saliut. Ka vetëm një gjë të përbashkët mes nesh dhe PD, edhe ne edhe ata flasim se çfarë do të ndodhë më 22 Qershor me votën e 21 qershorit, ne flasim për 22 qershorin që vjen, por ata flasin për 22 qershorin e 2013-n, një ditë para se të merrnin mandatën”, tha Rama.

Top Channel