Gjermani, Tahiri takon ministrin për Europën, vlerësohet roli i Kosovës në rajon

13/06/2015 00:00

Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri gjatë qëndrimit të saj në Gjermani ka zhvilluar takime me ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Michael Roth dhe Ernst Reichel, emisar special për Europën Jug-lindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s.

Në takimin me ministrin e Shtetit për Europën, Michael Roth, ministrja Tahiri theksoi se Kosova shquhet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon përmes angazhimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën po e dëshmon edhe në kuadër të dialogut të Brukselit.

Gjatë takimit u bisedua rreth thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme të Gjermanisë për perspektivën europiane të Kosovës, ku ministrja Tahiri theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim dhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodhin shpejtë për të siguruar Kosovën dhe popullin e saj se rruga e tyre për BE është e qartë dhe e sigurt.

Ministri gjerman Roth theksoi se Gjermania është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën dhe mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe strukturat euro-atlantike, ndërkaq vlerësoi procesin e reformave që Qeveria e Kosovës po ndërmerr në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të shtetit.

Ai po ashtu theksoi se Gjermania mbështet dialogun e Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë duke potencuar rëndësinë e përparimeve të mëtejme në këtë proces që do të ndihmoj dyja shtetet në rrugën e tyre për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Edhe emisari Ernst Reichel shprehu gatishmërinë e qeverisë gjermane për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën si dhe vazhdimin e mbështetjes për rrugën e reformave europiane të Kosovës.

Top Channel