Pranga grabitësve të bankës në Shijak

13/06/2015 00:00

I dyshuari për vjedhjen me armë të bankës së nivelit të dytë që ndodhi të premten në qendër të Shijakut, është arrestuar nga shërbimet e policisë lokale, së bashku me bashkëpunëtorin e tij në këtë grabitje.

Forcat e Komisariatit të Policisë Shijak në bashkëpunim me forcat e komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar operacionin “Raiffeissen 2015”, gjatë të cilit arrestuan shtetasit Jonni (Gentian) Doda, 44 vjeç, banues në Elbasan dhe Ervin Varaka 29  vjeç, banues në Shijak.

Shtetasi Jonni (Gentjan) Doda, që ka qenë personi i dyshuar që u fut me armë në filialin e bankës në Shijak ku mori afro 100 mijë lekë, është person në hetim nga autoritetet greke për të njëjtën vepër penale.

Rreth 100 metra larg bankës Doda është pritur nga 29-vjeçari Varaka i cili e ka ndihmuar të largohet nga vendi i ngjarjes.

Autorëve iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një  automatik, një automjeti tip “Fiat”, motori tip Scuter dhe një shumë parash.

Dy të arrestuarit do të hetohen më tej nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat  penale ”Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” dhe “Armëmbajtje pa leje” në bashkëpunim.

Top Channel