KLD jep lejen: Të arrestohet gjyqtarja e Lezhës

13/06/2015 00:00

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të autorizuar Prokurorinë që të vijojë hetimet kundër gjyqtares së arrestuar në flagrancë, Parashqevi Ademi është zhvilluar jashtë afatit të 24 orëve që përcakton ligji për organizimin e KLD-së.

Ky ishte edhe qëndrimi i njërit prej anëtarëve të KLD-së, Sokol Çomo, i cili ka replikuar për të gjetur arsyet se përse mbledhja e anëtarëve duhej të bëhej jashtë afateve.

Por ndërsa Presidenti në rolin e kreut të KLD ishte me një vizitë pune në Gjermani, duke sjellë edhe shqyrtimin në limitet e mundshme të kërkesës së Prokurorisë, pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda të thotë fjalën e saj.

Të dielën, Gjykata e Krimeve të Rënda do të shfletojë dosjen kundër gjyqtares Ademi dhe kërkesën e Prokurorisë që do të kërkojë arrest me burg për të për çështje korrupsioni.

Ajo që do të mbetet pezull është nëse do ta konsiderojë gjykata të vlefshëm këtë autorizim, që siç pretendon anëtari i KLD-së, është në tejkalim të afatit ligjor.

Burimet pohuan se kreu i KLD-së, Nishani ka replikuar me anëtarin e Çomo, duke e kundërshtuar qëndrimin e tij me argumentin se mbi nenin 21 qëndron Kushtetuta, e cila flet për arrestimin në flagrancë.

Kjo përplasje në KLD, në fakt po ndodh prej muajsh, qëkur ministri i Drejtësisë i bëri apel Presidentit të plotësojë vendin vakant të ish-zv.kryetarit Elvis Çefa, i shkarkuar së bashku me ish-anëtarin, Lulzim Lelçaj, të cilët aktualisht ndjekin një proces gjyqësor administrativ.

Por a mund të vijohet me një Këshill Drejtësie pa zv.kryetar në të? Për anëtarin e KLD-së, Artan Broci, Këshilli duhet të ketë zv.kryetarin që kishte, pra Elvis Çefën, pasi për të, kjo çështje është prekur në Kushtetuese.

“Rikthimi i atij vendimi dhe zbatimi i atij vendimi e kthen KLD-në në normalitet. Është i qartë vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha anëtari i KLD-së, Artan Broci.

Në raportin analizues për sistemin e drejtësisë, të botuar nga Komisioni i Posaçem Parlamentar, mungesa e zv.kryetarit dhe ushtrimi i kompetencave të tij nga kryetari, është shqyrtuar si një nga problemet më akute të gjyqësorit.

Top Channel