PDIU: Akuzat e PD-së, shpifje të ulta. Ne u sulmuam

13/06/2015 00:00

Dega e PDIU-së në Peqin ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike, e cila tha më herët se në Peqin, “bandat e kësaj partie po ushtronin dhunë ndaj aktivistëve dhe mbështetësve të opozitës”.

Përmes një komunikate të shpërndarë për mediet, PDIU i cilëson akuzat e PD-së si “shpifje të ulta”, dhe ka një version krejt të kundërt me atë të paraqitur nga demokratët.

“Ditën e djeshme u zhvillua një tubim elektoral në fshatin Karinë. Pas përfundimit të këtij aktiviteti dhe pas ikjes së kandidatit dhe drejtuesve të tjerë të fushatës, kryetari i Komunës Karinë dhe enturazhi i tij kanë sulmuar dhe dhunuar fizikisht stafin teknik dhe mbështetësit tanë. Hedhim poshtë me neveri shpifjet dhe shtrëmbërimin e realitetit, që serviri para qytetarëve Partia Demokratike, si shenjë e humbjes së sigurtë që po ndjen në Bashkinë e Peqinit. Deklarata e Partisë Demokratike, se kinse po kërkohet regjistrimi i të burgosurve të Burgut të Peqinit në listat e zgjedhjeve është një shpifje e ulët, që buron nga imagjinata dhe frika e PD-së, që po sheh se humbja në Peqin ka për të qenë më e thellë se kurdo herë tjetër”, thotë PDIU.

Më tej kjo parti u bën thirrje autoriteteve që të hedhin dritë mbi ngjarjen në fjalë.

“U bëjmë thirrje prokurorisë, policisë dhe të gjitha organeve kompetente që të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje të shëmtuar dhe çdo shpifje tjetër”, shton PDIU.

Top Channel