Veseli, 23-vjeçari nga Prizreni, është fitues i “Big Brother Albania 8”

14/06/2015 00:00

Publiku me votat e tij zgjodhi fitues të “Big Brother Albania 8” Veselin, djalin 23-vjeçar nga Prizreni, i cili njëkohësisht është edhe fitues i çmimit të madh.

Tejet i emocionuar pasi dëgjoi emrin e tij si fitues, Veseli u shpreh se njerëzit që njohu brenda në shtëpi janë çmimi më i madh për të.

“Kam fituar shumë në “Big Brother”, shumë njerëz të mirë dhe ata janë çmimi më i madh për mua. Fitoren ia dedikoj dy mbretëreshave të mia dhe dy vëllezërve”, tha ai.

Çmimi i madh për djalin nga Prizreni ishte 5 milionë lekë të reja, pasi ishte i fundit që hyri në shtëpinë e “Big Brother”.

Si çdo edicion edhe këtë vit ka pasur plot dinamika gjatë udhëtimit njëqind ditor të banorëve, plot debate, surpriza, pa anashkaluar dhe momentet gazmore e argëtimin e banorëve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Kjo finale, si i gjithë ky edicion, u prezantua nga Ledion Liço, i cili pas shkëlqimit në finalen e “Top Fest”, finalizoi nën të njëjtin ritëm dhe këtë mbrëmje të fundit të “Big Brother Albania 8”.

Banorët, pas daljes nga shtëpia, u pritën në studio jo vetëm nga Ledioni, por dhe nga opinonistja e këtij viti, Mira Kazhani, e cila ndau çdo mendim dhe pikëpyetje të sajën me ta.

Çdo finalisti, iu ishte përgatitur dhe nga një surprizë nga “Vëllai i madh”, surpriza siç vetëm ai di të bëjë.

Xhensilës, e cila gjatë këtij edicioni ka shprehur dëshirën për të kërcyer, “Big Brother” i kishte përgatitur një performancë nga trupa e baletit të Top Channel. Për Eleonorën, apo ashtu siç të gjithë mësuam ta quanim, “Noa”, iu rezervua një klasë me nxënës, duke i sjellë pak dhe nga profesioni i saj, mësuesia. Surpriza për Veselin solli brenda shtëpisë së “Big Brother”, jo vetëm miqtë e tij më të ngushtë nga Kosova, por e fshehur brenda një dhurate, ishte Tea, vajza për të cilën Veseli kishte shprehur simpati që në orët e para i futur në shtëpi, por dhe këtë herë puthja midis tyre mungoi. Por në “post-Big Brother”, Tea i premtoi publikut një puthje mes tyre.

Ndërkohë, 23-vjeçari nga Prizreni ishte edhe fitues i “Lojës së Gënjeshtrave”, e cila i dhuroi atij 1 milionë lekë të reja.

Ja kush ishin 6 finalistët e këtij edicioni të 8-të të “Big Brother Albania”:

Alba, 24-vjeçarja nga Tirana. Energjike dhe me humor, ajo e nisi lojën në çift me Diedonin, për t’u dashuruar më pas me të, duke u kthyer kështu në çiftin e parë zyrtar brenda mureve të shtëpisë. Shpesh me zë të lartë e në qendër të debateve, Alba rezultoi gjithsesi luftarake në lojën e saj.

Fatjoni, 26-vjeçari që nisi një lojë të qetë e me një vel romantik, lidhja me Xhensilën, por që u shndërrua në sulmues të fortë, duke shkaktuar debate me të gjithë banorët. Ashpërsia e tij dhe thyerja e rregullave të lojës e kanë çuar disa herë në prag eliminimi.

Fabjani, 31-vjeçari që jeton në Siçili. Daja, siç e thërrasin banorët, fillimisht kishte sjellje të njëjtë me partnerin e tij, por pas shpërbërjes së lojës dyshe, zgjodhi një lojë të qetë, duke evituar debatet e duke nxjerrë në pah mirësi e humor.

Eleonora, 42-vjeçarja nga Fieri me look trasgresiv, por me këmbë në tokë. Inteligjente e me ide të qarta, ajo ka preferuar të luajë e vetme që në fillim, edhe kur ishte në çift me Marinën.

Xhensila, 26-vjeçarja nga Pogradeci, miss bukurie me sjellje fisnike e te edukuar, ka preferuar t’u qëndrojë larg debateve, por ka shkaktuar një të tillë mes Fatjonit dhe Veselit, pas puthjes me këtë të fundit.

Veseli, 23-vjeçari nga Prizreni. Ai u përshtat mirë me banorët edhe pse hyri më vonë në lojë. Pasi i kishte parë nga jashtë ata, vëmendja e tij kishte rënë tek Tea, me të cilën u krijuan situata romantike, por dhe me humor, në atë që u quajt si telenovela e tyre. I dashur, i qeshur dhe tolerant, ai u ka rezistuar me edukatë sulmeve të forta.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel