Danimarka mposht Serbinë, vendi i tretë më pranë për Shqipërinë

13/06/2015 00:00

Danimarka ka arritur të mposht Serbinë 2-0 në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”.

Dy gola të realizuar nga Poulsen, nga një për çdo pjesë, i dhanë Danimarkës 3 pikë shumë të rëndësishme për një kualifikim të mundshëm. Ndërkohë, Serbia zhvilloi një tjetër ndeshje për t’u harruar, duke mos arritur thuajse në asnjë moment të tregonte se është një ekip i denjë për në Kampionatin Europian.

Me këtë fitore Danimarka shkoi në kuotën e 10 pikëve, 2 më pak se Portugalia e vendit të parë dhe 3 më shumë se Shqipëria e vendit të tretë.

Fitorja e Danimarkës bën që Serbia të largohet shumë nga pretendimet për vendin e tretë që aktualisht mbahet nga Kombëtarja jonë, e cila ka për të luajtur edhe 4 ndeshje, ndërkohë 4 ekipet e tjera të grupit kanë vetëm 3 ndeshje për të luajtur.

Por kjo fitore mund të jetë edhe një lajm i keq për Kombëtaren kuqezi, nëse synojmë vendin e dytë, pasi Danimarka na largohet me 3 pikë tashme dhe ndeshja e ardhshme është pikërisht Danimarkë-Shqipëri.

Top Channel