PD: Kërcënime kandidatëve në Peqin e Delvinë

14/06/2015 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, denoncoi në mbrëmje kërcënimin që, siç tha ai, iu bë kandidatit të opozitës për Bashkinë e Delvinës, Pandi Zhboga, nga drejtori i Zyrës Arsimore, Fatos Llalla, i cili është një njeri i afërt i kandidatit të LSI-së.

“Po bëjnë gjithçka për të manipuluar zgjedhjet në Durrës, Kavajë, Vorë, Shkodër, Delvinë e Sarandë. Kanë gjunjëzuar institucionet e pavarura dhe drejtësinë, kanë blerë, korruptuar dhe dhunuar mediat, kanë trembur dhe mbyllur bizneset”, deklaroi ndër të tjera Arben Ristani.

Ndërsa pasdite, kandidati i PD-së në Peqin denoncoi një valë dhune dhe presioni nga kandidati i PDIU-së në këtë qytet, të cilët sipas PD-së terrorizojnë nëpër rrugë qytetarët deri në përdorimin e armëve.

Ndërkaq, në mbrëmje edhe deputeti i PD-së, Astrit Patozi, i drejtoi një letër të hapur drejtuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të BE-së dhe të OSBE-së me titullin “Po na i vrasin para syve tanë”, në të cilën shpreh shqetësimin për rastet e dhunës dhe të presionit, që siç shkruan ai, po ndodhin në zonën e Vorës.

“E ndiej si detyrim t’ju informoj se këto ditë të nxehta të fushatës, vetëm 13 km nga qendra e kryeqytetit, është duke u konsumuar mu para syve tanë, më së paku një krim i frikshëm elektoral”, shkruan ndër të tjera në letrën e tij të hapur Astrit Patozi.

Top Channel