Kandidatët e Korçës takojnë emigrantët në Selanik

14/06/2015 00:00

I shoqëruar nga zv/kryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për qytetin e Korçës, Sotiraq Filo, u ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë në qytetin e Selanikut të votojnë për drejtimin e duhur.

Kemi gjetur një qytet që e kishte mbuluar pluhuri i harresës dhe e kemi shndërruar në një destinacion turistik, ka thënë ai.

“U bëjmë thirrje emigrantëve që të kthehen në Shqipëri dhe të votojnë për projektin tonë. Siç e dini, qyteti i Korçës është duke ndryshuar shumë shpejt, por kemi nevojë për mbështetje me votë, me qëllim që projektet tona të vazhdojnë jo vetëm në qytet, por edhe në pjesën e komunave që i bashkohen Bashkisë së madhe të Korçës”, tha Filo.
 
Nga ana tij, zv/kryeministri Peleshi, pasi ka vënë në dukje investimet e qeverisë për pushtetin lokal në gjithë vendin, ka theksuar se kjo mbështetje jo vetëm do të vazhdojë, por edhe do të rritet: “Unë mendoj që është avantazh për Shqipërinë që ka një qeveri që i ka dhënë më së fundi, pas më shumë se 20 vitesh, theksin e duhur dhe fokusin transformimit urban dhe rilindjes urbane të qyteteve dhe fshatrave tona. Reforma territoriale ka çliruar mundësi dhe energji të reja, programi i transformimit të qyteteve dhe fshatrave shqiptare do të jetë përkrah 61 kryebashkiakëve të rinj”.
Me emigrantët shqiptarë në Selanik është takuar edhe kandidati tjetër për Bashkinë e Korçës, Gjergji Mero, i cili në fjalën e tij ka theksuar se Korça është bërë qyteti me taksat më të larta në Shqipëri, se vendi po përjeton një nivel varfërie dhe papunësia gjithnjë e më shumë po rritet.

“Unë kam ardhur sot në Selanik për t’u takuar me emigrantët shqiptarë, kryesisht ata korçarë, për t’u shpalosur programin tonë social, për t’u treguar se PD-ja dhe programi ynë është shumë real, duke u bazuar në situatën konkrete që po kalon qyteti, që po kalon Shqipëria, duke i premtuar gjithë emigrantëve se atë që ata nuk e kanë ndjerë deri më sot në kërkesat që kanë patur për një qytet më të bukur, për një zhvillim ekonomik dhe social më të mirë, do ta kenë nesër sepse ashtu siç kam drejtuar në universitet për 8 vjet, po të njëjtin model do të çojmë në bashki, për një bashki të hapur që punon për njerëzit dhe do t’u shërbejë qytetarëve”, tha Mero.

Mero ka theksuar gjithashtu se, nëse do të fitojë postin për të cilin kandidon, do të ulë taksat e bizenesit me 30% , ndërsa me bashkimin e 65 fshatrave në këtë bashki nga reforma elektorale, do të mbështesë investimet në bujqësi dhe infrastrukturë për t’i dhënë hov turizmit malor, agroturizmit dhe turizmit të bujtinave.

Top Channel