Rama, takime në Konispol e Sarandë: Respektojmë minoritetet

14/06/2015 00:00

Në Konispol kryeministri Rama ka sulmuar ashpër të gjithë ata, që siç ai tha, kërkojnë të përçajnë komunitetet në jug të vendit duke i renditur përballë njëri-tjetrit në bazë etnie dhe besimit fetar.

“T’u vijë turp të gjithë këtyre qorrave që në vend se të shikojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre, duan t’i vënë flakën kësaj toke ku u rriten fëmijët e tyre, dhe duan ta bëjnë tokë të djegur dhe të pamundur për fëmijët e tyre nesër, për nipat dhe mbesat nesër! Një tokë sherri, që nuk mund të jetë tokë shqiptare, sepse toka shqiptare nuk mund të jetë tokë sherri mes atyre që e banojnë! Sepse për ne, që të gjithë janë motra dhe vëllezër, çam, minoritarë e të tjerë”, tha Rama.

Për të treguar respektin e kësaj qeverie ndaj minoriteteve, tha kryeministri Rama, mjafton të shohësh bashkitë e krijuara të Dropullit, Finiqit dhe Pustecit, si dëshmitarë të një mentaliteti europian, jo me fjalë, por me vepra.

Kryeministri, duke kërkuar votën e të gjithë banorëve të bashkisë së re, tha se “premtimet e Partisë Demokratike nuk kanë lidhje me fushatën vendore”.

“Me saldatriçen e Malos do të ngrihen pensionet në kupë të qiellit?! Apo do t’u bjerë dritat me saldatriçe në shtëpi Malua?!”, deklaroi Rama.

Kryeministri premtoi mbështetje në rritje për të gjitha projektet komunitare që do t’u përmirësonin jetën njerëzve, duke lënë menjëanë premtimet boshe që bëhen për arsye politike nga opozita.

Më pas kryeministri Rama ishte në Sarandë ku prezantoi projektin për kthimin e një rezidence qeveritare në eko-kampus, që do të përfshijë ndërtimin e çerdheve, kopshteve, shkollë 9-vjeçare e të mesme, terrene sportive, fusha të lojrave me dorë, amfiteatër, palestra, pishina dhe të tjera.

“Gjëja më e mirë na u duk që vulën qeveritare dhe gjithë parkun rreth saj ta transformojmë në një hapësirë për të ndërtuar një model krejtësisht të ri të shërbimit me kopsht, shkollë dhe hapësira komunitare”, deklaroi kryeministri.

Rama premtoi një fazë tjetër ndërhyrjesh në të gjithë bregun e Jonit, ku përfshihet edhe Saranda.

“Duam që të zgjidhim me shpejtësi problemin e kanalizimeve në të gjithë bregun, problemin e ujit të pijshëm në të gjithë bregun, dhe padyshim të ecim me shpejtësi për të ndërtuar modele urbanizimi të një cilësie krejt tjetër”, u shpreh kryeministri.

Top Channel