Banorët e Tbilisit, kryeqytetit gjeorgjian, janë urdhëruar që të qëndrojnë brenda në banesat e tyre, pasi në rrugë janë vërdallë disa armiq të pazakontë dhe tejet të rrezikshëm.

Luanë, tigra, ujqër dhe hipopotamë janë parë në rrugët e përmbytura të qytetit.

Shirat e dendura kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe prurjet e ujit, që kanë vërshuar mbi pjesën e kopshtit zoologjik të Tbilisit kanë prishur muret rrethuese.

Nga kjo kanë përfituar kafshët që pas uljes së densitetit të reshjeve janë parë të pashqetësuara në rrugët e Tbilisit.

Grupet e emergjencave dhe specialistët kanë nisur një operacion për vënien nën kontroll të kafshëve. Deri më tani është neutralizuar me qetësues vetëm një hipopotam.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve që të shmangin sa më shumë daljet në rrugët e qytetit deri në një urdhër të dytë.

Ndërkohë, përmbytjet kanë shkaktuar të paktën 8 të vdekur dhe 10 të tjerë figurojnë të zhdukur.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel