Snowden dëmtoi rrjetin agjenturor britanik

14/06/2015 00:00

Shërbimi sekret britanik (MI6), që merret me kundërzbulimin dhe operon me agjentë nëpër botë, është detyruar të lëvizë dhe shpërngulë agjentët e saj që operojnë jashtë Britanisë, pasi Rusia dhe Kina kishin pasur akses në dosjet sekrete të vjedhura nga Edward Snowden.

Amerikani Snowden arriti të dekonspirojë mijëra dokumente për programet e survejimit të agjencive amerikane dhe britanike të zbulimit, edhe pse ai thotë se të dhëna të rëndësishme në këto materiale nuk mund të dekriptoheshin. Por, shefat e sigurisë kanë paralajmëruar se veprimet e tij kishin kompromentuar aktivitetin anti-terror, ku sipas drejtorit të qendrës më të madhe në botë të monitorimit dhe përgjimit në Britani (GCHQ), Sir David Omand, puna e Snowden përbën një humbje të madhe strategjike për Perëndimin.

Sipas ‘The Sunday Times’ të Londrës, që citon burime nga qeveria britanike, Moska dhe Pekini kishin zbërthyer dhe deshifruar informacione që ekspozonin teknikat e grumbullimit të të dhënave sekrete dhe mund të identifikonin spiunë të caktuar që operonin për interesa të Perëndimit.

Një burim i Ministrisë së Brendshme britanike, sipas gazetës prestigjioze britanike të së dielës ‘The Sunday Times’, “Putini nuk i dha azil Snowden-it pa pasur asnjë arsye dhe interes”.

Snowden ka shkaktuar një dëm të pallogaritshëm. Në disa raste, agjencitë perëndimore të inteligjencës janë detyruar të ndërhyjnë dhe të transportojnë agjentët e tyre nga operacionet për të penguar identifikimin dhe vrasjen e tyre, thonë specialistët e sigurisë.
 
Kontraktori amerikan Snowden u arratis në Rusi në vitin 2013, pasi u zbulua identiteti i tij duke qenë se kishte shkarkuar mbi 1.7 milionë dokumenta sekrete. Ai ka marrë azil në Moskë, ndërkohë që kërkohet nga autoritetet amerikane.

Top Channel