“Arrest me burg” për gjyqtaren dhe avokatin e Lezhës

14/06/2015 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për gjyqtaren e Lezhës, Parashqevi Ademi dhe avokatin Gjovalin Ndokaj.

Gjyqtarja dhe avokati janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kushtet e flagrancës ditën e enjte.

Të shtunën, KLD i dha lejen arrestimit, ndonëse përtej afatit 24 orë, siç parashikon ligji. Pikërisht për këtë fakt ka pasur një debat në këtë mbledhje, ku anëtari Sokol Çomo ka replikuar me Presidentin e Republikës.

Burimet pohuan se kreu i KLD-së, Nishani ka replikuar me anëtarin e Çomo duke e kundërshtuar qëndrimin e tij me argumentin se mbi nenin 21 të ligjit për KLD, qëndron Kushtetuta, e cila flet për arrestimin në flagrancë.

Sipas prokurorisë, arrestimi i të dyve u krye për veprën e “korrupsionit pasiv në bashkëpunim”, ndërsa janë sekuestruar si provë materiale edhe 200 mijë lekë të reja, që të dyshuarit po i ndanin me njëri-tjetrin.

Prokuroria thotë se hetimet janë ndjekur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka kompetencë hetimin e veprës së korrupsionit.

Çështja është regjistruar pas kallëzimit të një shtetasi, i cili ka vënë në dijeni autoritetet se i kërkoheshin lekë për të shpallur një vendim në favor të tij.

Top Channel