BB: Programi, në varësi të realizimit. Borxhet dhe pensionet u realizuan

14/06/2015 00:00

Banka Botërore deklaroi se lëvrimi i kredisë prej 1.2 miliardë dollarë, që akordoi për Shqipërinë, është i lidhur me ecurinë e reformave dhe realizimin e investimeve në terren.

“Ne ramë dakord që qeveria të shlyente borxhet e prapambetura ndaj biznesit dhe kjo u realizua. Ramë dakort për reformën e pensioneve dhe ajo nisi. Ju mund t’i quani këto kushte, por ne i quajmë veprime të domosdoshme. Kjo ishte marrëveshja që mundësoi akordimin e një pjese të financimeve. Për pjesën tjetër që lidhet me investimet, ka një tjetër kriter. Ne do të shohim rezultatet, pra si ecën realizimi. Nëse projektet ecin sipas afateve, financimet disbursohen, nëse realizimi ecën ngadalë, atëherë financimet ndalen”, thotë Tahseen Sayed, Drejtore e BB-së për Shqipërinë.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes mes Bankës dhe Qeverisë është rimëkëmbja e ekonomisë. Por si do të përdoren financimet për të arritur këtë objektiv?

“Shuma e rënë dakort është 1.2 miliardë dollarë. Nga këto 450 milionë janë aprovuar për projekte që këtë vit. Pra, mbeten edhe 750 milionë dollarë të tjerë, që veç konsolidimit makro dhe atij financiar, do të shkojnë kryesisht për investime në infrastrukturë që mbështesin turizmin. Ne e shikojme turizmin si një nga kontribuesit kryesorë të rritjes ekonomike në vijim. Paralelisht do të ketë investime në menaxhimin e tokës, e për herë, edhe për aftësitë dhe punësimin e të rinjve”, shton Sayed.

Sayed thotë se përfitimet e këtij programi për publikun dhe ekonominë do të jenë të larta, por njëkohësisht pranon që ka edhe rreziqe.

“Rreziku më i madh është ai që lidhet me qëllimin kryesor të programit, rritjen ekonomike. Nëse situata në Eurozonë, në vendet fqinje do të jetë e pastabilizuar dhe sfiduese, atëherë kjo do të përbënte një rrezik për objektivat e këtij programi dhe rritjen ekonomike të vendit”, shprehet Sayed.

Sipas Drejtores së BB-së për Shqipërinë, ka vetëm një kusht themelor për zbutjen e këtyre rreziqeve.

“Ruajtja e ritmit të reformave, veçanërisht në sektorin e energjisë, sepse ajo është kolona që do të mundësojë rritjen ekonomike në të ardhmen dhe zhvillimin e vendit”, përfundon ajo.

Top Channel