Jahjaga pret delegacionin e EBA, donacion 22 milionë euro për spitalin e ri pediatrik

14/06/2015 00:00

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka pritur të dielën një delegacion të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët kanë ardhur në Prishtinë për të nisur realizimin  e donacionit prej 22 milionë euro për ndërtimin e një spitali të ri pediatrik të dhuruar nga lartmadhëria e saj, Sheika Fatima bint Mubarak.

Ministrja e Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Maitha Al Shamsi dhe drejtoresha e Autoritetit të Shëndetësisë në Abu-Dhabi, Mata Barakat, thanë se përmes këtij donacioni dëshirojnë të shpëtojnë jetët e fëmijëve të sëmurë.

“Kosova ka një potencial të lartë për çfarëdo, për resurse humane, natyrore, dhe ky është vend i jashtëzakonshëm. Por ne duhet të hapim rrugë të reja, me shtete të ndryshme, sidomos me Emiratet e Bashkuara Arabe. Është një privilegj i yni të jemi këtu, në shtëpinë tonë të dytë”, tha Al Shamsi

“Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të kujdesemi për ta. Ky spital do të jetë i nivelit më të lartë, do të jetë një vend ku do të zbatohen të gjitha teknikat më moderne mjekësore kirurgjike dhe do të koncentrohet tek ata të cilët janë më të sëmurët. Do të ketë shumë shtretër të kujdesit intensiv, 90 shtretër në total, nga të cilët 16 të për kujdes intensiv pediatrik”, tha drejtoresha e Autoritetit të Shëndetësisë, Abu-Dhabi.

“Për qytetarët e Kosovës ndërtimi i klinikës pediatrike kirurgjike është ndihmë e jashtëzakonshme. Ky spital përmbush një nevojë urgjente për përmirësimin e përkujdesit  shëndetësor të fëmijëve të Kosovës dhe në përgjithësi përmirësimin e kualitetit të jetës dhe mirëqenies së familjeve tona””, u shpreh Jahjaga.

Presidentja kosovare dhe delegacioni nga Emiratet e Bashkuara Arabe vizituan edhe vendin ku do të ndërtohet spitali i ri pediatrik brenda hapësirës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, mes Klinikës Gjinekologjike dhe departamentit të vjetër të pediatrisë.

Klinika e re që do të ndërtohet nga kompani gjermane, pritet të hapet në verën e vitit 2017 dhe do të përfshijë shërbime shëndetësore të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji dhe mjekësi emergjente.

Donacioni për ndërtimin e spitalit pediatrik i është dhuruar Kosovës gjatë vizitës që presidentja Jahjaga ka zhvilluar në prill në Abu Dhabi.

Në shenjë falënderimi për donacionin e Sheikes Fatima bint Mubarak, ky spital do ta mbajë emrin e sajë.

Top Channel