Shkup, shqiptarët në protesta, kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

14/06/2015 00:00

Mijëra shqiptarë me flamuj kombëtarë në duar dolën në protesta në Shkup për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

Drejtuesit e lëvizjes politike “BESA”, thanë se shqiptarët nuk mund të durojnë më diskriminimin dhe padrejtësitë. Njëri nga organizatorët e protestës, Afrim Gashi, tha se Maqedonia nuk mund të mbijetojë pa një marrëveshje të re politike mes shqiptarëve dhe maqedonasve për barazi të plotë mes tyre.

“Nuk e duam këtë Maqedoni që me emrin dhe me gjitha simbolet e saj është vetëm maqedonase dhe nuk e duan këtë Maqedoni që me tërë sistemin e saj juridik e kushtetues është shërbim vetëm të kombit maqedonas. Ky shtet ose do të jetë i përbashkët ose i askujt”, tha Afrim Gashi nga lëvizja “BESA”.

Të pranishëm në protesta ishin edhe familjarët e shumë shqiptarëve të dënuar nga gjykatat maqedonase. Bedri Ajdari që foli para të pranishmeve në emër të të gjithë familjarëve të shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm në rastin “Monstra”, tha se kulmi i dhimbjes që ndjejnë shqiptarët e Maqedonisë janë rastet e montuara gjyqësore kundër tyre.

“Neve nuk na dhemb aq shumë burgu i përjetshëm sepse jemi të sigurt se ata një ditë do të shpallen të pafajshëm, por më shumë në dhemb fakti që familjarët tanë u quajtën me emërtime  dhe etiketime më të poshtra. Na dhemb shumë që familjarët tanë dhe përmes tyre gjithë populli shqiptarë u shpallë terroristë”, tha Bedri Ajdari, familjar i të dënuarve në rasti “Monstra”.

Protesta u mbështet edhe nga disa organizata joqeveritare, intelektual e politikan.

“Kjo protestë me këtë masivitet, mendoj se i jep shpresë popullit shqiptarë dhe do të jetë kthesa historike në proceset e mëtutjeshme politike në Maqedoni”, u shpreh Hysni Shaqiri, ish-deputet në Kuvendin e Maqedonisë”, tha

Marshi protestues përfundoi i qetë, ndërsa organizatorët akuzuan zyrtarët e partisë shqiptare në pushtet BDI, se përmes kërcënimeve kanë penguar shumë qytetarë të dalin në protesta.

Top Channel