Luan Rama, letër të hapur: Gati të denoncoj në Prokurori çdo provë që cenon procesin zgjedhor

14/06/2015 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u është drejtuar me një letër të hapur të gjitha institucioneve që janë të përfshira në mënyrë direkte dhe indirekte në zgjedhjet e 21 Qershorit, duke shkruar se është gati të denoncojë në Prokurori çdo provë që cenon procesin zgjedhor.

Letra e Ramës vjen pas asaj të Astrit Patozit, i cili shprehte shqetësimin e tij, në lidhje me, siç e ka quajtur ai, një krim të frikshëm elektoral që po ndodh në Bashkinë e Vorës.

“Dua t’ju bëj me dije se jam i gatshëm që bashkë me Astrit Patozin të denoncojmë zyrtarisht me shkrim në organet e zbatimit të ligjit, çdo fakt e çdo provë, çdo emër dhe mbiemër që mund të rezultojë i implikuar në shkelje të ligjit, pa bërë asnjë dallim në janë emra nga radhët e mazhorancës apo të opozitës”, shkruan Luan Rama.

Sekretari i LSI-së është shprehur se standardi i zgjedhjeve, qytetaria dhe transparenca e fushatës, korrektësia dhe luajaliteti i garës zgjedhore në përputhje me parimet e OSBE-ODIHR-it, për LSI-në janë prioritare dhe të panegociueshme.

Sipas Ramës, në Bashkinë e Vorës janë regjistruar qindra qytetarë që nuk janë votues në Vorë, por që janë regjistruar vetëm për të votuar në favor të kandidatit të Partisë Demokratike për këtë bashki, Fiqiri Ismaili.

“Vetëm një noter që quhet Shaban Gjoka, mik i kryetarit të Bashkisë së Vorës, ka lidhur rreth 500 kontrata qiraje midis personave të ndryshëm, qytetarë me banim në Bashkinë e Vorës në cilësinë e qiradhënësit, me qytetarë nga bashki të tjera të vendit në cilësinë e qiramarrësit. Pas këtij veprimi, noteri Shaban Gjoka ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm ligjor që këta shtetas të merrnin lejen e banimit në Bashkinë e Vorës”, thuhet në letrën e sekretarit të përgjithshëm të LSI-së.

Luan Rama, duke denoncuar aktin që ai e quan “trafik elektoral”, shkruan se Safet Ciku, kunati i kryetarit të Bashkisë së Vorës, ka lidhur kontratë qiradhënieje për 15 shtetas, që sipas deklaratave të vendqëndrimit, edhe sipas listave te votuesve, banojnë në shtëpinë e tij.

Ai ka thënë se të njëjtën gjë është duke e bërë edhe Lulzim Vrana, kryetar i PD-së në Vorë, ndërsa shumë miq e familjarë të deputetëve të PD-së janë ç’regjistruar si votues në Tiranë dhe kanë kaluar si votues në Vorë.

Duke pyetur se si mund të ndjehet Halim Kosova, kandidat i PD-së për Bashkinë e Tiranës për këto lëvizje, duke pasur parasysh historinë e zgjedhjeve të kaluara, kur kryetari i bashkisë u zgjodh me diferencë të vogël votash, Rama ka denoncuar edhe një fenomen tjetër, që sipas tij, është duke ndodhur në Vorë.

“Sipas njoftimit zyrtar të policisë së shtetit, rezulton qe disa shtetas me banim ne Vorë, kanë denoncuar përpjekjet e kryetarit të Bashkisë për t’u kërkuar votën në këmbim të zarfave me lekë apo të thasëve me miell. Për sa kohë kjo çështje është nën hetim, çdo koment është i tepërt dhe i pavend. Madje është i dëmshëm”, ka shkruar Rama.

Në fund të letrës së tij, sekretari i përgjithshëm i LSI-së fton Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Lalla që të veprojë dhe të fillojnë hetimet pas letrës së Astrit Patozit. Sipas tij, në një shtet normal ligji i ngarkon me përgjegjësi për të ndëshkuar cilindo që vepron në kundërshtim me ligjin.

Top Channel