Mitingu përmbyllës në Gjirokastër, Basha: Të ndalim Ramën dhe Metën

14/06/2015 00:00

Kryetari i PD-së kërkoi votën për Igli Kokalarin, në takimin përmbyllës në Gjirokastër.

Përmes votës për kandidatin demokrat në këtë bashki, do të ndalet, sipas kreut opozitar, përpjekja dëshpëruese e të majtëve për të marrë nën kontroll edhe pushtetin vendor.

“Sepse nuk u interesojnë hallet dhe problemet tuaja, sepse nuk u interesojnë zgjidhjet për hallet dhe problemet tuaja. Filozofia tjetër është e tyre, tjetër mendësi kanë ata ‘kap çfarë të kapësh’. Kjo është filozofia e babëzisë, mendësia e babëzisë. Të gjithë pushtetin për vete, të gjitha fondet për vete, të gjitha paratë për vete dhe të gjithë hashashin për vete. Kjo është mendësia e Edi Ramës dhe e Ilir Metës”, tha Basha.

Kreu i opozitës, nga sheshi qendror i Gjirokastrës, ka ripërsëritur platformën e demokratëve për rritje të punësimit, ulje të taksave, e rritje rrogash. Kjo platformë, shprehu besimin ai, do të marrë votën edhe të socialistëve të ndershëm, që janë duke vuajtur po njësoj nga ajo që Basha e quan “oligarkia Rama-Meta”.

“Shqiptarët paguajnë taksa më të larta, fatura më të larta energjie, por ku shkojnë paratë? Vidhen dhe shpërdorohen. 150 milionë dollarë që nuk do të kthehen, sepse i ka zhdukur oligarkia”, tha kreu i opozitës.

Por mesazhi i Lulzim Bashës për të mbështetur Igli Kokalarin nuk ishte e ndarë nga akuzat e tij për deputetin e LSI-së në këtë zonë, Vangjel Tavo, dhe kreut të kësaj force politike, Ilir Meta, kur tha se kandidatja e tyre në këtë bashki do të punojë sipas filozofisë së partisë që përfaqëson: shërbim ndaj LSI-së dhe jo ndaj gjirokastritëve.

“Unë zotohem para jush që vota e 21 Qershorit do të jetë një përgjegjësi e madhe. Edhe për mua, Lulzim Bashën, këto halle kërkojnë zgjidhje. Dhe me votën tuaj, zgjidhje do t’u japim. Vota juaj është e shenjtë. Askush nuk do të guxojë ta prekë atë”, tha Basha.

Top Channel