Kosova: Tiranës i duhet menaxher; pas 21 Qershorit dera ime do jetë e hapur për ju

14/06/2015 00:00

Doktor Kosova u shpreh përpara banorëve në zonën e “Brrylit” në Tiranë, se ka ofruar integritetin e tij në shërbim të qytetarëve.

“Është kënaqësi që jemi mbledhur së bashku kaq shumë sot në këtë shesh. Vijmë sot pas një fushate intensive, për të lënë një tjetër takim të rëndësishëm. Takimin e datës 21 Qershor, ku ju dhe mbarë qytetarët e Tiranës do të vendosni për drejtimin që duhet të marrë Bashkia. Kemi përballë dy modele. Unë jam futur në këtë garë, me garancitë e përvojës time. Nuk kam dashur për asnjë sekondë të dukem, apo të bëj shfaqje, kur kam deklaruar se po ofroj integritetin tim”, tha Kosova.

Kandidati i së djathtës për Tiranën tha se ka ardhur koha që kryeqyteti të drejtohet nga një menaxher.

“Është koha të vendosim për një kryebashkiak menaxher të fortë, që ruan me fanatizëm taksat e qytetarëve, që u qëndron mbi krye punëve e kontrollon syçelët çdo proces derisa shërbimi, rruga, uji, pastrimi të mbërrijë tek qytetari. Është koha për të zgjedhur një kryebashkiak që nuk ka ndërmend të harxhojë asnjë sekondë kohë me politikë boshe e replika që ngrenë stuhi të kota e të dëmshme, që nuk sjellin asnjë të mirë në familjet e në tryezat tuaja. Ne e kemi parë se çfarë ka bërë politika në këto 25 vite. Ka luajtur shumë për interesat e saj, ka shkuar deri aty sa të mbajë edhe peng qytetin, të ardhmen tuaj, të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Halim Kosova.

Doktor Kosova u shpreh se do të jetë në shërbim të gjithë banorëve.

“Dera ime është dera juaj. I hapur për këdo, 24 orë në ditë. Jam i lumtur që ka nisur bashkimi i madh për fitoren e 21 Qershorit, që është fitorja juaj, fitorja e qytetarëve dhe e qytetit”, tha kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës.

Top Channel