Durimit po i vjen fundi, zv.kancelari gjerman: E duam Greqinë, por jo pafundësisht

14/06/2015 00:00

Vendeve europiane po u soset durimi me Greqinë, të cilën siç pohon zv.kancelari gjerman, Sigmar Gabriel për revistën “Bild”, Berlini dëshiron ta mbajë në Eurozonë.

Por koha nuk është e vetmja gjë që po kalon, thotë Gabriel; në mbarë Europën, shton ai, po i vjen fundi edhe durimit.

Komentet e ashpra të numrit dy të ekzekutivit gjerman, njëkohësisht ministër i Ekonomisë dhe kryetar i Social-Demokratëve, partnerë të koalicionit, vijnë në kohën kur bisedimet mes Athinës dhe kreditorëve të saj vazhdojnë.

Artikulli i tij shihet si një paralajmërim i qartë, sidomos po të mbahet parasysh se partia që drejton ka qenë mbështetëse e fortë e Greqisë në të shkuarën. Kudo nëpër Europë, thuhet në shkrim, sa vjen e shtohet ndjesia e teprimit; kur është shumë, është shumë dhe pikë.

Greqia e mbetur trokë kërkon arritjen e një marrëveshjeje, e cila të zhbllokojë fondet e dorëzanisë. Shpresat e saj janë të arrijë të shmangë falimentin që i kanoset prej këstit 1.5 miliardë eurosh që i detyrohet FMN-së. Shlyerja duhet kryer deri në fund të muajit.

Kreditoret këmbëngulin për shkurtim të shpenzimeve në këmbim të dorëzanisë e këtu nis përplasja, pasi Athina zyrtare kërkon ta shmangë rrudhjen e mëtejshme të shpenzimeve, e nuk i vjen për shtat sidomos pretendimi i huadhënësve për uljen e pensioneve.

Syriza e Tspiras erdhi në pushtet në fillim të vitit pikërisht me premtimin se do t’i lehtësonte masat e rrepta anti-krizë që kishin ngjallur pakënaqësi të madhe në popull; se do të shtonte pagën minimale mujore; do të niste një program të ri për krijimin e vendeve të punës. Megjithatë, të shtunën Tsipras iu drejtua grekëve me paralajmërimin të përgatiten për një kompromis të vështirë.

Javën që shkoi, tregjet u lëkundën nga lajmi se FMN-ja kishte tërhequr negociatorët e saj nga bisedimet, por kur këto të fundit rinisën një ditë më parë, përfaqësuesit e Fondit Monetar ishin në tryezë në krah të të dërguarve të BQE-së dhe të Komisionit Europian.

Top Channel