Voltana Ademi prezanton programin për Shkodrën

15/06/2015 00:00

Kandidatja e Partisë Demokratike për kryetare e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka prezantuar programin elektoral “Për Shkodrën e së Ardhmes”.

Voltana Ademi ka shpalosur me hollësi të gjitha shtyllat e programit të saj, duke u ndalur edhe tek nevojat specifike në sektorë të rendësishëm për zonat e ndryshme të kësaj bashkie.

“Të shërbesh, për mua do të thotë të zbatosh ligjin, të punosh me përgjegjësi, profesionalizëm, ndershmërisht dhe me transparencë. Përfshirja e njerëzve në vendimmarrje, partneriteti publik-privat do të jenë çelësi i suksesit në përdorimin me eficencë të financave, burimeve për projektet që do të realizojmë së bashku. Ne do të përmirësojmë më tej qeverisjen lokale për të siguruar mjetet e nevojshme për të shërbyer, për t’u zhvilluar e për të krijuar vende pune. Do të punojmë për të rifituar besimin e investitorëve vendas e të huaj për të siguruar rritje, për të zhvilluar ekonominë, bujqësinë, turizmin dhe biznesin. Ofroj një program të përgatitur nga specialistët më të mirë të fushave respektive, me të cilët prej vitesh kam punuar në hartimin e dokumenteve strategjikë dhe projekteve për zhvillimin e territorit”, u shpreh Ademi.

Në këtë takim ishte i pranishëm sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani, i cili u ka bërë thirrje shkodranëve të votojnë alternativën e PD-së për “Punë dhe Dinjitet” dhe programin e kandidates Ademi, e të mos e shesin votën e tyre tek PS dhe LSI.

Top Channel