Grida Duma: Zgjidhje emergjente kanalizimeve dhe ujit të pijshëm

15/06/2015 00:00

Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, prezantoi programin në lagjen 15 të qytetit, në Spitallë. Duma tha se do t’i jepet zgjidhje emergjente problemit të kanalizimeve dhe ujit të pijshëm, ku brenda 6 muajve do të ketë të paktën 3 herë më shumë ujë të pijshëm, si dhe zgjidhje problemit të kanalizimeve brenda një viti e 8 muaj.

“Përveç kanalizimeve dhe ujërave, keni problemin e mbeturinave. Është një problem emergjent për shëndetin, për turizmin dhe qytetin. Është e pafalshme që një qytet turistik t’i djegë plehrat. Është e pafalshme që një qytet turistik, Porto Romanon ta ketë zonë plehrash. Është shumë e rëndësishme që të fillojmë projektin tonë të pastrimit të mbeturinave dhe riciklimit të tyre”, tha Duma.

Ajo më tej tha se do të ndalet masakra ndaj objekteve historike dhe ka një projekt për rivitalizimin e siteve arkeologjike.

Top Channel