Padia për shpifje ndaj Palokës, avokati i Tahirit paraqet provat

15/06/2015 00:00

Është zhvilluar të hënën në Gjykatën e Lartë seanca e radhës e padisë për shpifje që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ngritur ndaj deputetit të PD-së, Edi Paloka.

Në këtë seancë, avokati i Tahirit ka paraqitur provat për shpifjet e Edi Palokës. Gjykata i ka dhënë kohë avokatit të Palokës të njihet me provat dhe seanca e radhës do të mbahet më 29 qershor.

Në seancën e kaluar në procesin ndaj deputetit Paloka, ku sipas legjislacionit gjykata tentoi që palët t’i jepnin dorën njëra -tjetrës, pajtimi mes Tahirit dhe Edi Palokës nuk ndodhi. Tahiri i tha gjykatës se është gati ta falë deputetin Paloka, por me kushtin që ai ta pranojë publikisht që ka shpifur.

Por avokati i deputetit Edi Paloka i qëndroi versionit të klientit të tij, duke mos u tërhequr nga deklarimet. Ndodhur në këto kushte, Gjykata e Lartë u shpreh se i duhet kohë të njoftojë prokurorinë, përsa kohë pajtimi nuk u realizua. Por mungesa në proces e deputetit të paditur u konsiderua nga Tahiri si injorim i gjyqësorit.

Top Channel