Basha: Rama nuk i merr dot votat me mallkime

15/06/2015 00:00

Në të dielën e fundit para 21 qershorit, Lulzim Basha zgjodhi Mallakastrën për të shprehur keqardhje për kryeministrin Edi Rama dhe nivelin ku, sipas kreut të opozitës, e ka ulur Partinë Socialiste.

Lulzim Basha, i cili përdori edhe dialektin e Tiranës kur iu drejtua Edi Ramës, shprehu bindjen se çdo formë, që qeveria po zgjedh të bëjë fushatë; nga mallkimet, deri te  blerja e votës, presionet dhe kërcënimet; janë tregues i dëshpërimit nga humbja.

“Shikoni sa qesharak dhe i pashpresë është bërë! Pasi e ka parë se nuk i funksionojnë as premtimet, se nuk i beson njeri; as kërcënimet, se nuk kërcënon dot një popull; ka filluar me mallkime, është bërë si ai qesharaku, që thoshte ‘të zëntë sëmundja po s’më votove mua’. O Edo, sa poshtë ke rënë! Po pse, me mallkime do i marrësh votat e mallakastriotëve dhe shqiptarëve?”, u shpreh Basha.

Mallkastra është një zonë kryesisht e majtë, por kreu i opozitës kishte besim se votuesit e zhgënjyer nga keqqeverisja do t’i bashkohen Partisë Demokratike, për të ndalur varfërimin e mëtejshëm dhe rritjen e çmimeve.

“Dyshja Rama-Meta nuk i ka prioritet këto halle. Këto dy vite nuk bëri asgjë për t’iu ndihmuar. Përkundrazi, iua bëri edhe më të vështirë jetën. Ndaj jemi mbledhur këtu, për të ndalur këtë të keqe, për t’i thënë ndal kësaj mënxyre dhe do i themi ndal me votë”, deklaroi më tej Basha.

* Në Pogradec, Lulzim Basha përmendi 3 arsye konkrete, përse shqiptarët duhet të refuzojnë me votë qeverinë qëndrore dhe përfaqësuesit e tyre në këto zgjedhje lokale. Arsyet kanë të bëjnë me vendime të sapomarra, ose që – sipas Bashës, – priten të merren nga qeveria e kryeministrit Rama.

“Rritja me 50 për qind e çmimit të ujit, rritja e tavanit të qirave dhe rikthimi i ligjit për konfiskimin e shtëpive, për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë. Zgjidhja e tyre është kërbaçi dhe pastaj blerja me një grusht parà e dinjitetit dhe votave”, tha Basha.

Partia Demokratike thotë se, alternativa e saj për uljen e taksave dhe të çmimeve është një zgjidhje emergjente dhe konkrete për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe – sipas Bashës, – të dielën e ardhshme është dita e provës se qeveria gaboi, kur i rrëzoi në Parlament propozimet e opozitës.

“Këta i hodhën poshtë me kartona, sepse nuk pyesin për interesin tuaj. I hodhën pa asnjë argument. Por më 21 qershor kartonat nuk i kanë këta, i keni ju”, përfundoi Basha.

Top Channel