Dako, me biznesin fason: Zona e lirë ekonomike do t’i japë fund papunësisë

15/06/2015 00:00

Zona e lirë ekonomike do t’i japë fund papunësisë në Durrës. Kështu është shprehur kandidati i majtë për bashkinë Vangjush Dako. Gjatë një takimi në një biznes fason, Dako tha se mandati i tij i ardhshëm do të fokusohet tek shtresat në nevojë.

Me ngritjen e qendrave sociale, shtimin e të ardhurave për këto qendra, krijimin e shërbimeve lehtësuese ndaj personave që do të vijnë në këto qendra, tha Dako, do t’u ofrohet shërbimi i duhur shtresave në nevojë.

“Të moshuarit pa mbështetje, gratë e dhunuara, fëmijët jetimë do të jenë fokusi i punës tonë të përditshme, pasi si një shtresë me probleme të shumta ato kanë nevojë për mbështejen tonë. Ne kemi marrë masa për rritjen e fondit që do të jetë për familjet në nevojë dhe ky fond do të jetë tre herë më i madh, në mënyrë që këto familje të kenë për nevojat e tyre tre herë më shumë fonde se sa kishin më parë”, shtoi Dako.

Zona e lirë ekonomike në Spitallë do të hapë mijëra vende pune, vijoi kandidati i majtë: “Në një sipërfaqe 480 hektarë do të ndërtohet një platformë gjigante nga një kompani e huaj, e cila do të ngrejë infrastrukurën për të të prodhuar dhe shitur produkte të ndryshme për tregun e Europës Perëndimore. Kjo gjë do të bëjë që të hapen mijëra vende pune dhe pas kësaj nuk do të ketë më të papunë në Durrës”, tha Dako.

Top Channel