PDIU, Idrizi: Më 21 Qershor, votë pro bashkëjetesës

15/06/2015 00:00

Vota e 21 Qershorit të jetë kundër përçarjes dhe pro bashkëjetesës. Kështu është shprehur kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi gjatë një takimi në Patos. Ai iu referua deklaratës së kryeministrit Edi Rama, në Konispol.

“Përshëndes kryeministrin Rama në një fjalim brilant në Konispol, i cili sot iu drejtua të gjithë qytetarëve që të jenë të gjithë bashkë e të kuptojnë se Konispoli nuk mund të jetë transferimi i konflikteve etniko-fetare siç ka qenë Himara. Por, Konispoli duhet të jetë vendi i bashkëjetesës me myslimanë, ortodoksë e katolikë.

Vendi i bashkëjetesës së minoritarëve, shqiptarëve të Çamërisë e të gjithë atyre që janë në shtëpitë e tyre në Konispol dhe denoncoj të gjithë ata që duan ta kthejnë Konispolin në vatër konfliktesh. Sepse, dua ta perifrazoj: në Konispol, minoritarët janë në shtëpinë e tyre, kurse ne të gjithë bashkë jemi në oborrin tonë, në oborrin e të gjithë shqiptarëve dhe shqiptarët e Çamërisë kanë respektuar dhe do të respektojnë gjatë gjithë jetës së tyre këdo. Mos votoni për përçarjen, por votoni për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane”, tha Idrizi.

Top Channel