Libi, kryemilitanti islamik vritet në një sulm ajror

15/06/2015 00:00

Një militant i lartë islamik, që urdhëroi sulmin vdekjeprurës në një impiant gazi të Algjerisë dy vjet më parë, është vrarë përmes një sulmi ajror amerikan në Libi.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet libiane, sipas të cilave, Mokhtar Belmokhtar është vrarë në qytetin lindor Axhdabija.

Ndërsa zyrtarët amerikanë deklarojnë se Belmokhtar ishte vënë në shënjestër dhe se operacioni i kryer ka qenë i suksesshëm.

Megjithatë, dhënien e detajeve amerikanët e kanë cilësuar si “të papërshtatshme”. Vdekja e kryemilitantit është raportuar disa herë në të kaluarën, me lajmin që dilte i pavërtetë.

Por këtë herë duket se nuk ka më dyshime. Lindur në Algjeri, ai ishte një figurë e njohur e Al Kaedës në Magrebin Islamik, por u largua për të krijuar milicinë e tij.

Ai u bë famëkeq me sulmin ndaj impiantit të gazit në Amenas në vitin 2013, ku rreth 800 persona u morën peng dhe 40 të tjerë u vranë, shumica e të cilëve të huaj, kryesisht britanikë dhe amerikanë.

Shtetet e Bashkuara kishin ngritur akuza për terrorizëm ndaj tij dhe zyrtarët thanë se personi përbënte një rrezik për interesat e Perëndimit.

“Belmokhtar ka një histori të gjatë aktivitetesh terroriste si anëtar i Al Kaedës së Magrebit Islamik. Gjithashtu, ai ka qenë lideri i operacioneve të organizatës në veri-perëndim të Afrikës veri-perëndimore”, ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit, kolonel Steve Warren.

Top Channel