Ronaldo reagon ndaj publikut armen pas koreve për Messin

15/06/2015 00:00

Leo Messi nuk iu nda Cristiano Ronaldos as në Armeni, aty ku Portugalia luajti ndeshjen e radhës të kualifikueseve të “Francë 2016”. Gjatë të gjithë ndeshjes, tifozët armenë thërrisnin në kor emrin e argjentinasit të Barcelonës sa herë që sulmuesi portugez prekte topin.

Qëllimi i tyre ishte të shpërqendronin lojtarin e Realit, por kjo gjë shkaktoi efektin e kundërt, pasi Cristiano shënoi tre gola në fitoren 3-2 të kombëtares së tij në këtë takim të vlefshëm për grupin I, aty ku është edhe Shqipëria.

Pas golit të dytë dhe të tretë, CR7 mori hak ndaj publikut duke vënë dorën pas veshit, si për të thënë që nuk po e dëgjonte më emrin e Messit.

Portugalia renditet në vendin e parë të grupit, me 12 pikë në 5 ndeshje. Ndiqet në vend të dytë nga Danimarka, me 10 pikë në 5 ndeshje, ndërkohë që Shqipëria renditet e treta në kuotën e 7 pikëve në 4 ndeshje.

Në vend të katërt dhe të pestë renditen Serbia dhe Armenia, me nga një pikë secila.

Top Channel