Azi, ushtari koreano-verior dezerton në Jug

15/06/2015 00:00

Një ushtar koreano-verior ka kaluar kufirin më të mbikëqyrur ushtarakisht në botë për të dezertuar në Jugun fqinj.

Ushtari, i ri në moshë, iu afrua postobllokut koreano-jugor në rajonin veri-lindor Huaçeon, në zonën e demilitarizuar (DMZ) ditën e hënë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Seul.

Mes ushtarëve koreano-jugorë dhe “kolegut” nga Veriu nuk ka pasur shkëmbim zjarri dhe ky i fundit aktualisht po mbahet nën mbikëqyrje.

Vëzhguesit ndërkombëtarë deklarojnë se është jashtëzakonisht e rrallë që dezertorët të kalojnë DMZ-në. Hera fundit kishte qenë në vitin 2012.

Pjesa më e madhe e dezertorëve kalojnë fillimisht në Kinë, vijojnë rrugën përmes Azisë Jug-Lindore dhe më pas hyjnë në Korenë e Jugut.

Edhe shumica e 28 mijë koreano-veriorëve që janë vendosur në Jug janë larguar nga vendi i tyre përmes kufirit me Kinën dhe jo përmes DMZ-së.

Kjo, për faktin se zona në fjalë, e gjatë 250 km, ruhet rreptësisht nga ushtarakët dhe është e mbushur me mina anti-njeri.

Rasti i vitit 2012, kur një ushtar nga Veriu u largua duke kaluar telat me gjemba dhe të kalonte pa u vënë re u konsiderua si e turpshme për ushtrinë e Jugut, me autoritetet që morën masat për të rritur sigurinë në kufi.

Së fundmi, në këtë zonë ka pasur një aktivitet të shtuar të trupave koreano-veriore, pikërisht për të bërë më të vështira kushtet e dezertimit.

Top Channel