Mediu, në Berat: Po tjetërsohet vota, po tjetërsohet e ardhmja jonë

15/06/2015 00:00

Kryerepublikani Fatmir Mediu, i shoqëruar nga kandidati i aleancës së djathtë Kasem Mahmutaj, ishte në një takimi elektoral në qytetin e Beratit.

Gjatë fjalës së tij para qindra mbështetësve, Mediu u ndal në mënyrë të veçantë tek tjetërsimi i vullnetit të lirë të qytetarëve, që është kthyer tashmë në një shqetësim real jo vetëm për opozitën, por ka tërhequr edhe vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.

Mediu tha se ky është një paralajmërim i qartë për pushtetin, i cili nuk mund të blejë dinjitetin e shqiptarëve.

“Tashmë, i gjithë faktori ndërkombëtar e di se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe jep një paralajmërim të qartë duke na bërë thirrje si qytetarë që të mos e shesim votën. Por nga ana tjetër, ky është një paralajmërim për pushtetin, për ata që mendojnë se mund të blejnë lirinë tonë, jetën dhe shpirtin tonë. Motra dhe vellezër, vota është fuqia jonë, është familja jonë, janë fëmijët tanë, është e ardhmja jonë. Ne nuk mund ta shesim nderin dhe dinjitetin, nuk mund t’a shesim të ardhmen tonë”, deklaroi Mediu.

Top Channel