Kandidatja Rami takon emigrantët në Megara dhe në Athinë

15/06/2015 00:00

Me banorë të zonës së Gjirokastrës që jetojnë në qytetin Megara dhe Athinë u takua kandidatja e ASHE-së për këtë qytet, Zamira Rami. Mes emigrantëve, ajo kërkoi mbështetjen e tyre për të sjellë një model të ri në qeverisjen e qytetit të Gjirokastrës.

Rami renditi prioritetet e saj në krye të bashkisë, ku sipas saj, do të punohet ditë e natë në shërbim të qytetarit. Përmirësimi i kushteve të jetesës së banorëve, sigurimi me ujë të pijshëm 24 orë, infrastruktura e qytetit dhe projektet në fushën e turizmit janë në krye të listës së saj për qeverisjen e qytetit të gurtë. Kandidatja Rami shprehu bindjen se me ndihmën e emigrantëve gjirokastritë, fitorja e saj në zgjedhjet e 21 Qershorit do të jetë bindëse.

“Ne nuk merremi me fjalë, as shajmë dhe fyejmë kundërshtarin, siç ata bëjnë me ne, por ne bëjmë punë konkrete. Ne kemi nevojë për votën tuaj, kemi nevojë për votën e emigrantëve sepse edhe ju jeni pjesë integrale e qytetit tonë, e bashkisë së re të madhe, që në 21 Qershor do ta qeverisim së bashku. Do punojmë me komunitetin. Kemi projekte për rininë, për turizmin, për një të ardhme më të mirë dhe të sigurtë për fëmijët tanë. Qeveria po bën reforma. Ato janë të dhimbshme, madje shpesh prekin një pjesë të mirë të shtresave në nevojë, por ato janë të nevojshme sepse vetëm me reforma do të bëjmë të mundur krijimin e shtetit, që aq shumë e kemi nevojë”, tha Rami.

Zonja Rami u shtoi premtimeve të saj ndërtimin e rrugëve, trotuareve, vendosjen e sistemit të ndriçimit, ujësjellësin e shumë projekte të tjera, ndërsa shtoi se mbi të gjitha, zyra e saj do të jetë e hapur në çdo moment për cilindo qytetar të Gjirokastrës.

Top Channel