Rusia, projekt për Gjykatën Speciale; alarmohen institucionet e Kosovës

15/06/2015 00:00

Institucionet e Kosovës janë alarmuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara se, Rusia tashmë e ka dorëzuar draftin për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë. Projekti i hartuar nga Moska zyrtare u është prezantuar disa deputetëve kosovarë gjatë një vizite në Nju Jork.

Njëri nga deputetët që e ka parë draftin e rezolutës, ka treguar për Top Channel se ajo përmban në shume kapituj termin “gjenocid”, derisa kjo rezolutë parasheh rifuqizimin e UNMIK-ut dhe Rezolutën 1244.
 
Po ashtu draft-rezoluta e re parashikon që Gjykata Speciale për Kosovën të mos ketë afat kohor të veprimit dhe do të mbyllet vetëm me rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, ku Rusia ka drejtën e vetos.
 
Mësohet po ashtu se, drafti i rezolutës ruse tashmë ka hyrë edhe në procedurat e Komitetit të pestë për Financa brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është shqyrtuar kostoja financiare në rast se themelohet nga OKB.
 
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të hënën pas mbledhjes së Kryesisë se, janë në pritje të qeverisë për ta miratuar projektligjin për Gjykatën Speciale dhe si Kuvend, pastaj ta ftojnë seancën. Kryeparlamentari kosovar është i bindur se Kosova do ta formojë vetë këtë Gjykatë.
 
Veseli po ashtu njoftoi se Kuvendi do të mblidhet më 18 qershor në seancë të rregullt plenare për të shqyrtuar disa projektligje dhe raporte të agjencive të pavarura.
 
Edhe për seancën e radhës sërish është paraparë interpelanca e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe votimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel