Ish-i dërguari i Vatikanit, në gjyq për abuzim me të mitur

15/06/2015 00:00

Vatikani do të dërgojë ish-të dërguarin e tij në Republikën Dominikane, Jozef Wesolowski, në gjykatë për abuzim seksual me fëmijët dhe për posedim materialesh pornografike.

Papa Françesku ka pranuar ndërkohë dorëheqjen e arqipeshkvit amerikan dhe zëvendësit të tij, të akuzuar në Minesota se kanë injoruar abuzimet që një prift kryente me fëmijët.

Jozef Wesolowski akuzohet se ka abuzuar seksualisht me fëmijët në Republikën Dominikane, në periudhën 2008-2013 dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpie në Vatikan.

Gjyqi ndaj tij pritet të nisë më 11 korrik. Ai akuzohet edhe për posedim të materialeve pornografike me të mitur, që datojnë që nga kthimi i tij në Romë në vitin 2013.

Atë vit 66-vjeçari u thirr që të kthehej në Vatikan pas dyshimeve të ngritura ndaj tij. Ai kishte kaluar 5 vjet në vendin e Karaibeve si i dërguari i Papës dhe në kthim iu hoq titulli pasi u shpall fajtor nga një gjykatë fetare, ndërsa tani do të gjykohet nga gjykata penale e Vatikanit.

Një zëdhënës i Selisë së Shenjtë ka deklaruar se hetuesit do të kontrollojnë edhe sistemin informatik të përdorur nga Wesolowski.

Wesolowski, me origjinë nga Polonia, ndodhet në arrest shtëpie në Vatikan që prej shtatorit. Selia e Shenjtë deklaroi atëherë se nuk ishte dërguar në një qeli policie për shkak të gjendjes shëndetësore.

Top Channel