Vajza snajper që po terrorizon Kievin

15/06/2015 00:00

Nga punonjëse tatimesh, në snajperen më të frikshme të njësitit të saj: historinë e Oksana Gimrakoves e përcjell e përditshmja britanike “DailyMail”, e cila tregon se si në këto muaj konflikti, 28-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve ka vrarë plot 24 ushtarë ukrainas.

Përpara fillimit të luftës, Oksana punonte në administratën shtetërore dhe nuk kishte prekur kurrë armë me dorë. Por një vit më vonë, pas kalimit në krahun e separatistëve dhe bashkimit me ushtrinë e Republikës Popullore të vetëshpallur të Donjeckut, është më tmerruesja kur vjen fjala tek ekzekutimet me snajper.

Përpos numrit të pohuar të atyre që ka vrarë, thotë se janë edhe 2 të cilët i tregon vetëm tani. Ekzekutimi në këtë rast ka qënë nga afër. Njëri nga pengjet madje është lutur për jetën duke i rrëfyer se ka grua e fëmijë që e presin në shtëpi. Përgjigja e 28-vjeçares ishte e ftohtë: “Mua më duhet t’ju vras për të mirën e fëmijëve të mi!”.

Sipas të shoqit, Rusllan, Kievi ka ofruar 200 mijë dollarë shpërblim për kokën e Oksanës. Ky pohim i tij është e vështirë të konfirmohet, por ndërkohë në listën ukrainase të anti-terrorit ku renditen personat me rrezikshmëri të lartë, emrat e dy bashkëshortëve figurojnë vërtetë. Rusllani rrëfen sidoqoftë se pas vrasjes së pengjeve të kapur gjatë betejës për Mayorsk-un, 28-vjeçarja është munduar nga makthet. Njëri prej tyre ishte oficer, tjetri një ushtar këmbësorie vetëm 22 vjeç. Ai iu lut të mos e shkrepte këmbëzën, por Oksana i tha: Jo, ti je fajtor si të gjithë të tjerët, e pastaj qëlloi, shton i shoqi.

Ekzekutimet janë kthyer në një fenomen thuajse të zakontë në luftën e egër në Ukrainën lindore, e cila tashmë ka hyrë në muajin e 15-të.

Top Channel