PD: Erion Veliaj fsheh burimin e të ardhurave që po shpenzon në fushatë

15/06/2015 00:00

Deputetia e PD, Jorida Tabaku, në një deklaratë për mediat ka akuzuar kandidatin e majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, se po fsheh burimin e të ardhurave marramendëse që po përdor në fushatë.

Deputetja demokrate ka deklaruar se, Veliaj po shpenzon shuma të mëdha për spote televizive dhe e ka paralajmëruar kandidatin e majtë se nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë.

“Prej 5 ditësh, Erion Veliaj fshihet dhe nuk bën të ditur shifrat e fushatës së tij luksoze. Ai gënjeu publikisht, kur tha se kishte një buxhet prej 108 milionë lekë të vjetra.

Megjithëse u pyet dhe ai vetë tha se do të bëjë transparencë, ende asnjë shifër prej tij. Ne po bëjmë sot publike, milionat e Erion Veliajt për spote televizive.

Qysh se ka nisur zyrtarisht fushata e deri dje në darkë, sipas tarifave zyrtare që kanë paraqitur në KQZ televizionet për kostot e një spoti televiziv, Erion Veliaj ka shpenzuar 1 milionë e 144 mijë euro.

Ky është një çmim mesatar. Shifra është me siguri edhe më e madhe, nëse do të marrim në konsiderata, që ka televizione kombëtare, që kanë tarifime deri në 5 mijë euro një spot në emisionet e tyre të rëndësishme.

Ne nuk po llogarisim këtu miliona euro për zyrat elektorale, banerat e posterat që ka vënë në çdo cep, e me të cilat ka mbuluar edhe ndërtimet pa leje.

Nga vijnë paratë e Erion Veliajt? Kush është burimi i tyre? Pse nuk jep shpjegime për lidhjet me rastet e bëra publike deri tani të pastrimit të parave?

Erion Veliaj fshihet, por këto janë fakte për të cilat do të mbajë përgjegjësi, dhe përgjigjen më të mirë do të japin qytetarët e Tiranës me 21 qershor”, ka deklaruar Tabaku. 

Top Channel