Pas dështimit të bisedimeve në Bruksel për arritjen e një zgjidhjeje rreth krizës politike në Maqedoni, nuk vlen më as marrëveshja e 2 qershorit e arritur në Shkup.

Këtë e kanë pohuar për mediat burime nga opozita maqedonase, duke shtuar se tani më nuk vlen as marrëveshja për publikimin e bisedave të përgjuara telefonike, as pjesa e marrëveshjes që e obligon LSDM-në opozitare të kthehet në Parlament.

Nga partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM, kanë pohuar se janë të gatshëm që sërish të ulen në tavolinën e bisedimeve, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike, por duken të vendosur të mos lëshojnë pe përtej vijës së tyre të kuqe.

Duke cituar burimet partiake të LSDM-së, mediat raportojnë se opozita maqedonase këmbëngul në qëndrimin e saj se vetëm tërheqja e Nikolla Gruevskit dhe formimi i qeverisë së përkohshme, e cila do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, do të mund të çonte drejt normalizimit të situatës politike në Maqedoni si dhe t’ia rikthente vendit demokracinë dhe perspektivën europiane.

Top Channel