Apeli Administrativ, në kolaps. 80 çështje në javë shqyrtohen, mijëra janë në pritje

15/06/2015 00:00

Zyra të tejmbushura me dosje që presin prej gati një viti të gjykohen, ndërkohë që sipas ligjit në fuqi, për to duhet të kishte folur drejtësia brenda një muaji.

Gjykata e Apelit Administrativ ka vetëm 7 gjyqtarë për të gjykuar të gjitha çështjet admistrative të 6 gjykatave të shkallëve të para ne vend.

E ndërsa gjyqtarët e Apelit Administrativ gjykojnë mesatarisht 80 çështje në javë, situata vijon të jetë e ngarkuar, pavarësisht se prej ditësh, pas një bllokimi njëvjeçar, po asistojnë edhe 10 ndihmësgjyqtarë.

“Aktualisht janë 11 mijë çështje. Janë gjykuar 4 mijë, ndërsa 7 mijë janë në pritje. Për momentin po gjykojmë çështjet e qershorit 2014. Numri i çështjeve pa u shtuar numri i gjyqtarëve nuk përballohet. Duhet shtuar numri i gjyqtarëve, që gjykata të përballojë ngarkesën siç e parashikon ligji, që çështja të mbarojë brenda një muaji. KLD-ja ka komanduar gjyqtarë disa herë, por kjo nuk është efektive. Janë të komanduar për çështje me numra të caktuar”, deklaron Leonard Strataj, kancelar i Gjykatës Administrative të Apelit.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë po tenton të ndryshojë ligjin për Gjykatat Administrative, çka mund të sjellë sërish debate në kampet e politikës.

Në dokumentin që TCH disponon, projektligji i shpërndarë aktorëve të Drejtësisë parashikon ngritjen edhe të dy gjykatave të tjera administrative të Apelit, heq konkursin dhe cakton si rregull mos-testimin e gjyqtarëve administrativë.

Për ata që do të nisin nga detyra në shkallën e parë nuk është e domososhme të kenë përvojë pune, ndërkohë që për Apelin ulet pragu nga 9 në 7 vjet eksperiencë pune si gjyqtar.

Top Channel