Bushati takon Ahmetin: Çështja shqiptare në fokus të zgjidhjes

15/06/2015 00:00

Vizita e parë e ministrit të Jashtëm shqiptar në territorin maqedonas pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, është shfrytëzuar për të takuar kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në bashkëqeverisje me Nikolla Gruevskin.

Përpara se të ulej në tryezen homologëve nga 18 vende të “Nismës për Europën Qendrore”, që u mbajt në Ohër, Ditmir Bushati ka konsultuar me Ali Ahmetin situatën aktuale në Maqedoni dhe veçanërisht mënyrën sesi kriza politike maqedonase të mos lërë jashtë vëmendjes avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje.

Pavarësisht se për Tiranën mbetet e qartë se zhvillimet e brendshme në Maqedoni janë tregues i krizës së saj të demokracisë, qëndrimi i saj ndaj partive politike shqiptare atje, është po aq i qartë: të punojnë për përparimin e të drejtave të shqiptare.

Përgjegjësia e parë për këtë është e BDI në qeverisje. Ali Ahmeti, raportojnë mediat shqiptare në Maqedoni, ka vlerësuar marrëveshjen e 2 qershorit edhe në vështrimin e marrëdhenieve ndëretnike, por gjithashtu i ka mëshuar edhe raporteve mes Tiranës dhe Shkupit, që sipas tij duhet të intensifikohen edhe me mbledhje të përbashkëta qeveritare.

Mesazhet e Bushatit mesa duket nuk ishin vetëm për faktorin shqiptar në Qeverinë e Shkupit, por edhe për përfaqësuesit e shoqërisë civile shqiptare atje, ku në të njëjtin vend është takuar edhe me ta, takim që i paraprin ecurisë së zhvillimeve në Shkup, pas marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Pasi ka hyrë i shoqëruar nga Ali Ahmeti dhe Nikolla Popovski në sallën e takimit të ministrave të Jashtëm të CEI-t, ministri ynë i Jashtëm gjithashtu në deklarimin e vetë vuri theksin tek, Marrëveshja e Ohrit.

“Shqipëria mbetet e vendosur që të mbështesë integrimin euro-atlantik të Maqedonisë, i cili kalon nëpërmjet zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në frymë dhe në germë, si dhe respektimit të të drejtave të shqiptarëve, si një faktor shtet ndërtues në Maqedoni” – deklaroi Bushati, që shtoi më tej se “Marrëveshja e Ohrit nuk mund të shihet si një formalitet i thjeshtë”. “Ajo përbën një vizion afatgjatë, bazuar në një histori autentike të bashkë ekzistencës paqësore”, tha ai.

Ndërsa ministri Jashtëm maqedonas ka bërë përgjegjesë krizën e brendshme politike për  bllokimin e integrimit  në NATO dhe BE të Maqedonisë, që sipas tij ka zhvendosur vëmendjen e zgjidhjes së emrit.  Çdo zvarritje e vendimeve për këtë çështje, sipas Popovskit, do të rrezikonte kohezionin e brendshëm dhe mundësi më të larta për ndërhyrje të jashtme.

Vendosja e situatës në Maqedoni në kornizat e kërkuara nga BE është mbështetur në këtë takim nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, që ka ritheksuar se është e dënueshme çdo formë të rrezikimit të sigurisë në Maqedoni, çdo formë dhune dhe terrorizmit.

Duke folur si kryesues i OSBE, Ivica Daçiç ka siguruar se kjo organizatë  bashkë me autoritetet në Maqedoni dhe BE-në do të jenë në të njëjtën gjatësi vale për rikthimin e stabilitetit në Maqedoni.

Pothuaj të gjithë ministrat e Jashtëm të CEI-t theksuan nevojën e stabilitetit të Maqedonisë, jo vetëm për këtë shtet, por për të gjithë rajonin.

Top Channel