Gjermani, 50 ultras mësyjnë fushën; mes të goditurve edhe Mario Basler

15/06/2015 00:00

Edhe në Gjermani mund të ndodhë. Bëhet fjalë për dhunën në futboll, ku mbrëmjen e së dielës, në ndeshjen mes Rot-Weiss Erfurt dhe FC Lokomotive Lipsia, që vlente për sigurimin e vendit të tretë të “play-off”-it në kampionatin Oberliga (kategoria e pestë). Për vendasit duheshin medoemos 3 pikët.

Rot Weiss Erfurt, i cili pas sezonit të mirë të zhvilluar dhe pasi gjendej në avantazh të dy golave në minutën e 73-të, po zhvillonte minutat e fundit me seriozitet dhe impenjim. Por, Ziane, njëri prej sulmuesve të ekipit mik duket se humbi toruan dhe shkakton një goditje dënimi për të cilën ndëshkohet me karton të kuq. Tifozët ultras të miqve u mjaftuan me këtë episod për të hyrë në fushë, invazion që shkaktoi shumë trazira, shumë të plagosur, mes të cilëve edhe ish-lojtarin e Bayernit, Mario Basler, tashmë në rolin e drejtorit sportiv të Lokomotive Lipsia.

Fillimisht u futën 30 ultras, por pas ndërhyrjes së rojeve të sigurisë mësynë edhe 20 të tjerë. Nisën të gjuanin me grushta jo vetëm lojtarët kundërshtarë, jo vetëm rojet e sigurisë, por edhe vetë lojtarët e tyre. Mbi 30 persona u desh të transportoheshin për në spital, për të marrë ndihmat e nevojshme.

Gjithsesi, pas ndërhyrjes së mbi 100 policëve kaosit i ka ardhur fundi, u arrestuan dhjetëra shkaktarë, por arbitri refuzoi të rifillonte ndeshjen, e cila në këtë pikë pritet të fitohet në tavolinë 3-0 nga të zotët e shtëpisë.

Klubi i Lokomotive Lipsia është distancuar nga veprimet e tifozëve të tyre, përmes një komunikate zyrtare. “Jemi të shokuar. Dënojmë sjelljen e këtyre primitivëve të dhunshëm, e të mangët mendërisht”. Edhe Mario Baslerit i ka mbetur një shije e hidhur, saqë mendon dorëheqjen. “Në 25 vite futboll nuk më kishte ndodhur kurrë diçka e tillë. Nëse kujtoj sesi janë goditur lojtarët tanë, nuk arrij të kuptoj për kë apo për çfarë po punoj. Ndaj nuk ka kuptim të rri më, do të marr gruan dhe do të nis pushimet”.

Top Channel