Përkujtohet rilindasi Josif Bageri; Ahmeti paralajmëron kthimin e eshtrave në vendlindje

15/06/2015 00:00

Në 100-vjetorin e vdekjes së rilindasit shqiptar, Josif Bageri, udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti ka premtuar kthimin e eshtrave të tij në vendlindje, në fshatin Nistrovë të Rekës së Epërme.

Ahmeti tha se është formuar një komision, për të zbuluan varrin ku ndodhen eshtrat e Bagerit, i cili u nda nga jeta një shekull më parë, në Prishtinë.

“Ne jemi në kërkim të eshtrave të atij kolosi, sepse ende nuk janë aty ku ai kërkonte të ishin. ‘Të prehen të qeta nën hijen e pishave të Nistrovës, në Shqipërinë time’, siç thoshte ai. Janë krijuar ekipe në kërkim të eshtrave të tij, edhe pse është e vështirë të gjenden, sepse kur e kanë zhdukur, e kanë bërë që të zhdukej përgjithmonë ideja, ligjërimet dhe porositë e Josif Bagerit”, tha Ahmeti.

Paralajmërimet për kthimin e eshtrave të rilindasit shqiptar në vendlindjen e tij, vijnë ende pa u përmbushur premtimi i partisë së Ali Ahmetit, BDI, për vendosjen e përmendores së Josif Bagerit në sheshin e Shkupit. Ngritja e përmendores së rilindasit shqiptar u premtua 4 vite më parë, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, prej vitesh paralajmërohet edhe ndërtimi i një muzeu, mbi themelet e shtëpisë ku ka jetuar Josif Bageri.

Top Channel