Gjyqi ndaj Ivanoviç, dëshmitari: Ishte shef i rojeve të urës mbi Ibër

15/06/2015 00:00

Gjykimi kundër politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe 4 serbëve të tjerë, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999-2000 në veri të Mitrovicës, ka vazhduar këtë të hënë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut.

Dëshmitari Agon Ajeti, i cili aktualisht jeton në Suedi, ka dëshmuar përmes një videokonference, duke kujtuar natën e 3 shkurtit të vitit 2000 dhe tmerrin, që ai dhe familjarët e tij kanë përjetuar nga serbët e udhëhequr nga Ivanoviç.

Si pasojë e sulmeve të asaj nate, nga serbët e udhëhequr prej Oliver Ivanoviçit, siç ka treguar Ajeti, kanë humbur jetën djali i xhaxhait të tij, Nderim Ajeti, dhe bashkëshortja e fqinjit, Nerimane Xhaka, ndërsa kanë mbetur të plagosur xhaxhai Nexhmedini; vajza e tij, Rrezarta Ajeti; vajza e fqinjit, Emine Xhaka; si dhe vetë ai, që kishte pësuar lëndime në sy dhe veshë.

Dëshmitari Ajeti ka theksuar disa herë se, para natës kritike, duke kaluar urën për të shkuar në shkollë, çdo ditë ka parë “rojet e urës” me rroba civile dhe me radiolidhje, të cilët kanë keqtrajtuar dhe kanë rrahur njerëz.

Ai ka rrëfyer se, në atë kohë, shef i rojeve të urës mbi lumin Ibër ishte Oliver Ivanoviç, ndërsa selinë e tyre – sipas tij, – serbët që ruanin urën e kishin në lokalin “Dolce Vita”, që ndodhet afër urës nga cepi verior.

Në lidhje me 4 të akuzuarit e tjerë; Dragolub Delibashiç, Ilia dhe Nebojsha Vujaçiç, si dhe Aleksandar Llazoviç; dëshmitari Agon Ajeti tha se nuk i njeh dhe nuk i kishte parë më parë.

Pas përfundimit të kësaj seance, avokati i viktimave të luftës Burhan Maxhuni tha se, në bazë të dëshmive të deritashme, Oliver Ivanoviç do të dënohet.

“Besoj se, në bazë të të gjithë dëshmitarëve deri tani, ka arsye të mjaftueshme që Oliveri të qëndrojë këtu, në vendin ku ka qenë deri tani”, tha Burhan Maxhuni, avokat. Seanca e radhës e gjykimit të grupit të Oliver Ivanoviç do të mbahet më 29 qershor.

Top Channel