Kosovë, nis samiti për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut

15/06/2015 00:00

Ka nisur punimet samiti i Kosovës për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Përfaqësues të tri pushteteve; atij ekzekutiv, legjislativ e gjyqësor janë mbledhur në Kuvendin e Kosovës për të dhënë kontribut në avancimin e të drejtave të njeriut, por edhe për të diskutuar përparësitë e më së shumti mangësitë, posaçërisht të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kryeprokurori kosovar, Aleksandër Lumezi theksoi se sistemi prokurorial ka një rol të rëndësishëm në administrimin e drejtësisë, sundimin e ligjit dhe veprimin në pajtim me parimet e deklaratës universale për të drejtat e njeriut. Por, që kjo të arrihet, Lumezi tha se duhet të krijohet një ambient i sigurt për punë, por edhe baza të shëndosha për kualifikime dhe shkarkime të prokurorëve, duke vënë theksin në integritetin e secilit prokuror.

“Drejtësia në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti nga ana e sistemit prokurorial, mund të arrihet vetëm nëse kemi një sistem efiçent prokurorial, në procesimin e lëndëve brenda një afati të arsyeshëm kohor. Në mënyrë të pashmangshme do të rrisim edhe besimin e qytetarëve në drejtësi dhe në sistemin prokurorial. Natyrisht që për të arritur këtë duhet shumë punë, e cila duhet ende të saktësohet me përpikmëri dhe të përkthehet në punë efektive e cilësore. Kjo do të mund të arrihet, vetëm nëse në sistemin prokurorial vendosim baza të shëndosha të kualifikimeve dhe emërimeve, ngritjeve në detyrë, shkarkimeve, apo uljeve në detyrë të prokurorëve, duke i dhënë theks të posaçëm integritetit të secilit prokuror në veçanti. Çdo prokuror, kudo qoftë ai, në Kosovë apo diku tjetër, duhet që si bazë të punës së tij të ketë punën e ndershme, duke punuar në mënyrë të paanshme, pa paragjykime, e duke eliminuar çdo formë të diskriminimit”, tha Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i shtetit.

Samiti është organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, e mbështetur edhe nga USAID. Tema e ditës së parë ishte: “Gjyqtarët, si gardianë të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”.

“Perëndimi e bëri të qartë se, të drejtat themelore të njeriut janë mbi të drejtat e shtetit. Shteti duhet të gjunjëzohet para jetës, lirisë dhe pronës së njeriut – thoshte babai i liberalizimit John Locke, – në të kundërt shteti bëhet i paligjshëm. Ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës ishte një zgjidhje ushtarake e konfliktit të vjetër të Milosheviçit mes të drejtës themelore dhe pozitivizmit juridik. Prandaj ne, sot kemi detyrim moral, njerëzor, politik dhe historik, që të punojmë mbi misionin që del nga kjo filozofi”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Samiti do t’i vazhdojë punimet të martën, në ndërtesën e qeverisë së Kosovës, me temën “E drejta ndërkombëtare, interpretimi dhe zbatimi nga ana e autoriteteve vendore” dhe “Të drejtat e njeriut, sfidat dhe mundësitë në promovimin e dialogut dhe paqes mes komuniteteve”.

Top Channel