Ministria e Financave: Ja efektet e shlyerjes së borxhit ndaj biznesit

15/06/2015 00:00

Nisur nga disa shkrime në media, që akuzojnë se shlyerja e borxhit ndaj biznesve nuk ka dhënë efektet e pritura në ekonominë e vendit, e që për më tepër kjo shlyerje është bërë në mënyrë selektive, Ministria e Financave renditi një sërë faktorësh, që sipas saj, tregojnë krejt të kundërtën.

Kjo ministri thotë se në një anketim, ku janë përfshirë përfituesit kryesorë të këtij procesi, vërehen efektet në këto drejtime:

Së pari, në shlyerjen e detyrimeve që kishin ndaj punonjësve të tyre (pagat) dhe firmave nënkontraktore, me të cilat kishin bashkëpunuar gjatë kryerjes së punimeve.

Së dyti, një pjesë e fondeve të siguruara nga shlyerja e detyrimeve janë përdorur nga bizneset për të shlyer detyrimet fiskale që kishin ndaj administratës tatimore dhe doganore. Ky ishte dhe një kusht i domosdoshëm i përcaktuar në strategjinë përkatëse.

Së treti, një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve janë përdorur nga bizneset për shlyerjen e kredive në bankat e nivelit të dytë. Kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e rritjes së kredive të këqija, dhe në një masë të caktuar në uljen e këtyre kredive.

Së katërti, deri në fund të vitit 2014, shuma totale e depozitave të rritura në bankat tregtare ishte 44 miliardë lekë, nga të cilat depozita të biznesit ishin 24 miliardë lekë më tepër se një vit më parë.

Së pesti, nga bizneset u vlerësua me nota pozitive fillimi dhe mbarëvajtja e këtij procesi duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e besueshmërisë së biznesit ndaj Qeverisë.

Përpos këtyre ndikimeve, Ministria e Financave thotë se pagesa e borxhit të krijuar në periudha të ndryshme është një detyrim për shtetin, dhe në këtë kontekst, qeveria shleu detyrimet e veta.

Ministria e Financave u është përgjigjur edhe akuzave për shlyerje selektive të borxheve. Ajo thotë se është respektuar me përpikmëri strategjia e miratuar nga qeveria dhe këtë e dëshmojnë edhe dy audite të kryera nga kompani të huaja, i pari i nisur në korrik të 2014-s dhe i kryer nga kompania “Ernst & Young”, dhe i dyti në mars të këtij viti, i ndërmarrë nga “BDO Albania shpk & BDO Croatia D.O.O.”, ku u auditua edhe procesi i rimbursimit të TVSh-së. Në fund të auditimeve, dy kompanitë nuk kanë konstatuar anomali.

Top Channel